Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur me 400 mijë euro kompaninë që administron tregun e shumicës së produkteve agro-ushqimore në Tiranë.
Pas hetimit të kryer, Autoriteti i Konkurrencës arriti në përfundimin se EKMA Albania, që ka marrë nga Bashkia Tiranë monopolin e magazinimit dhe tregtimit me shumicë të fruta-perimeve në Tiranë, shfrytëzon pozitën e saj monopoliste për të siguruar fitime të padrejta ndaj subjekteve që marrin me qira ambiente për të magazinuar dhe tregtuar produkte ushqimore.
Kompania është gjobitur me një gjobë në masën 9.99% të xhiros së vitit të kaluar, që ishte rreth 4 milionë euro në total.
Autoriteti ka urdhëruar kompaninë që hartimi i kontratave të qirasë të bëhet bazuar në dispozitat e Kodit Civil, duke vendosur qiramarrësin dhe qiradhënësin në kushte të barabarta kontraktuale në zbatim të ligjit.
Qiradhënësit i kërkohet gjithashtu të aplikojë çmime të arsyeshme të orientuara drejt kostos dhe çmimit mesatar të qirasë të zonës gjeografike, si edhe të jetë transparent në detajimin e zërave dhe vlerave përkatëse që përfshihen në faturën e qirasë së ambientit.
Hetimi paraprak ka arritur në konkluzionin se ky subjekt aplikon çmime shumë të larta qiraje krahasuar me mesataren e zonës gjeografike, që i mundësojnë shoqërisë një normë fitimi shumë të lartë prej 76%.
Çmimet e qirasë të aplikuara nga ndërmarrja sjellin pasoja për konsumatorin final, duke rritur koston produkteve agro – ushqimore të cilat tregtohen nëpërmjet këtij tregu.
Një shkelje akoma më flagrante është vendosja e çmimeve të shtrenjtë të energjisë elektrike nga ai që tregtarët duhet të paguajnë realisht, sipas faturave të lëshuara nga OSHEE dhe UKT.
Në rast se ndërmarrja EKMA Albania nuk ndërpret shkeljet, Komisioni i Konkurrencës do të vendosë gjoba periodike deri në 5 % të xhiros mesatare ditore të vitit financiar paraardhës.