Zëri i Amerikës: Protesta e studentëve, pjesëmarrje e jashtëzakonshme në ditën e shtatë

Tuesday, 11 December 2018 16:29

E gjithë Shqipëria është përfshirë nga protesta masive ku studentët kërkojnë që nga qeveria të plotësohen disa kushte të cilat janë më minimalet në arsimin e lartë.

Ata prej shtatë ditësh janë në protesta përballë ministrisë së Arsimit dhe kanë pralajmëruar se nuk do të ndalen deri në momentin që do të plotësohen kërkesat e tyre.

Kjo nuk ka mbetur pa u komentuar edhe nga Zëri i Amerikës.

Mijëra studentë të universiteteve publike po protestojnë para ministrisë së arsimit në kryeqytet, duke kërkuar përmirësim të kushteve të jetesës dhe ulje të tarifave të studimit.

Kjo është dita e shtatë e protestës së tyre, sot më masive se asnjë ditë tjetër, ku morën pjesë studentë të universiteteve publike të Durrësit, Vlorës, Elbasanit, Shkodrës, Korçës, Gjirokastrës.

Protestës iu bashkuan edhe maturantë të shkollave të mesme të Tiranës, ndërsa ata në rrethe zhvilluan tubime në të gjitha qytetet, duke ndërprerë mësimin.

Studentët pohojnë se 8 kërkesat e tyre për uljen e tarifave, rritjen e buxhetit për arsimin, për pjesëmarrje në menaxhimin e fakulteteve dhe zgjedhjen e dekanëve, korrupsioni dhe paaftësia i pedagogëve etj janë të panegociueshme dhe ata presin që vetëm të përmbushen nga qeveria.

Ata theksojnë se kërkesat e tyre janë pjesë e ligjeve ekzistuese dhe duhej të ishin plotësuar nga qeveria edhe pa këtë protestë, ndaj nuk çfarë të negocionojnë, sepse ato janë detyrat ligjore të autoriteteve në raport me studentët.

Protestuesit pohuan se propozimet e djeshme të kryeministrit Edi Rama nuk kanë lidhje me 8 kërkesat e tyre minimale dhe bazike për studimet e tyre.

Sipas tyre, premtimet e zotit Rama për bursa apo tarifa falas, apo për vende pune ishin premtime luksi të vonuara, ndërsa ata kërkojnë t’u plotësohen kushtet më të domosdoshme për jetesë dhe studim.

Ata nuk besojnë tek bisedimet, ndaj njëzëri vendosën që të mos pranojnë asnjë bisedim, por kërkojnë që nevojat e tyre të listuara të plotësohen nga autoritetet.

Protestuesit thonë se ndjehen të fyer nga deklaratat e kryeministrit Rama se bëhej fjalë për studentët ngelës, por është ai që ka emëruar ministre arsimi një studente me nota të dobëta.

Mijëra studentë po brohorasin prej 7 ditësh dhe sot nga orat e para të mëngjesit, se autoritetet qeveritare dhe universitare po abuzojnë me paratë e familjeve të tyre, sepse qeveria u shtrenjtoi studimet me masa shtesë, duke ua varfëruar jetesën universitare.

Qeveria plotësoi një nga pikat e kërkesave të protestuesve dhe u shpreh e gatshme për dialog mbi temat e tjera, por studentët pohuan se do ta vazhdojnë tubimet deri në plotësimin e të gjitha kërkesave.

Modifikuar më Tuesday, 11 December 2018 16:32
Login to post comments