Zëri i Amerikës jehonë protestës në Tiranë: Mijëra njerëz para Kuvendit

Tuesday, 26 February 2019 19:19

Në Shqipëri një situatë e tensionuar është krijuar para parlamentit, ku opozita u mblodh për të protestuar ndërsa deputetët e shumicës janë në sallë në seancë.

Një grup manifestuesish tentuan të çajnë kordonin e policisë të vendosur në hyrjen kryesore të oborrit të parlamentit, por u sprapsën nga përdorimi i gazit lotsjellës. Disa manifestues u përgjigjën më pas duke hedhur gurë ndaj policisë.
Opozita e nisi protestën ndërsa brenda në sallë zhvillohej një seancë jashtë radhe. Disa mijëra përkrahës të Partisë Demokratike dhe LSI-së u mblodhën me urgjencë për protestën, sapo kryesia e parlamentit ndryshoi datën e seancës.

 

Ky është tubimi i tretë brenda 10 ditësh që zhvillon opozita, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të parakohshme.

Kryetari Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se protestat synojnë të largojnë qeverinë ilegjitime e të korruptuar dhe parlamentin, sipas tij, ilegjitim dhe me mandate të blera.

Protestuesit ndezën zjarre dhe hodhën flakadanë në drejtim të policisë. Ndërkohë, brenda sallës parlamenti vazhdoi seancën plenare. Në rendin e ditës ishin dy ligje mbi strukturën e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe organe të tjera të drejtësisë.

Policia ishte e shumtë në numër dhe masat shtesë ishin të dukshme, duke perfshirë edhe ndërprerjen e internetit në zonën e protestës. Autoritetet pohuan më herët se heqja e internetit bëhet për arsye sigurie, por opozita tha se kjo është një metode e re për të censuruar protestat dhe mesazhet e saj.

Modifikuar më Tuesday, 26 February 2019 19:35
Login to post comments