Vetëm përgjatë një viti, 232 persona janë larguar me dëshirë nga shtëpitë e tyre, ndërsa për policinë është dashur 24 deri në 48 orë për t'i gjetur.
Ndonëse në më të shumtën e rasteve personat rikthehen pranë familjeve të tyre, ajo çka mbetet shqetësues është fakti se ai po gjen zgjerim te të miturit.
Nga janari e deri më sot nga banesa janë larguar 82 fëmijë. Sipas statistikave të nxjerra nga komunikatat zyrtare të policisë numri është mjaft i lartë dhe pothuajse në të gjitha kallëzimet e bëra nga prindërit, ata nuk kanë dijeni se pse të vegjlit e tyre largohen.
Ikja nga shtëpitë prek thuajse të gjithë qytetet e Shqipërisë. Sipas shifrave zyrtare, fëmijët janë të moshave 17 deri në 12 vjeç, ndërsa numri më i lartë i largimeve raportohet në Tiranë dhe Elbasan, por edhe qytetet kryesore të mëdha.
Vetëm përgjatë 1 jave në kryeqytet nga shtëpitë u larguan dy binjake për t’u gjetur dy ditë më pas nga forcat e policisë në zonën e Kamzës teksa bënin xhiro me biçikletat e bashkisë, raporton "a2".
Po nga e njëjta zonë ajo e Kodrës së Priftit u largua dhe motra 16-vjeçare, e cila për të takuar mikun e saj mori me vete dhe vëllain 7-vjeçar.
Kjo vuri në alarm prindërit që lajmëruan forcat e policisë. Të miturit u gjetën pas 24 orësh. Pas marrjes në pyetje edhe në prani të psikologëve si binjaket 13-vjecare, por edhe motër e vëlla thanë se u larguan me dëshirë. Për këtë, policia nuk pranoi të prononcohej, por sipas saj, në të gjitha rastet fëmijët janë gjetur dhe rikthyer pranë familjeve të tyre.