Telekom Albania shitet për 50 milion euro

E mërkurë, 16 Janar 2019 17:31

Kompania shqiptare e telefonisë mobile "Telekom Albania" është shitur për 50 milion euro. Ajo do të kalojë në pronesi të kompanisë bullgare "Albania Telecom Invest AD", e cila zotërohet nga sipërmarrësi bullgar Spas Roussev, i cili zotëron paketën kontrolluese të aksioneve të operatorit ekzistues të telekomit të Bullgarisë Vivacom, dhe nga Elvin Guri, një investitor shqiptaro-bullgar. Njoftimi është bërë publik nga kompania greke OTE, pjesë e grupit Deutsche Telekom, e cila kontrollon kompaninë shqiptare Telekom Albania.

Drejtuesi i OTE-së, Michael Tsamaz, është shprehur se "shitja e "Telekom Albania", përmbyll investimin e suksesshëm në Shqipëri për Grupin OTE. Ky është një vendim strategjik, në kontekstin e prioriteteve të rishikuara të Grupit dhe planeve të rritjes, me qëllim që të krijojë vlerë për të gjithë aksionarët dhe të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm. Blerja e kompanisë nga një grup investimi i fortë dhe sipërmarrës siguron rritjen e saj dhe krijon kushte për të forcuar më tej pozicionin e saj në treg”, ka theksuar Tsamaz.

Transaksioni megjithatë do të konsiderohet plotësisht i mbyllur, pas miratimit dhe nga autoritetet lokale kompetente dhe pritet të përfundojë brenda gjysmës së parë të vitit 2019.

Në garë për blerjen e "Telekom Albania"-s ka qenë një kompani turke, një sipërmarrës grek si dhe kompania shtetërore serbe e telefonisë "Telekom Serbia". Kjo e fundit kishte bërë dhe ofertën më të lartë financiare, por interesimi i saj, u kundërshtua nga autoritetet shqiptare, ndonëse bëhej fjalë për një transaksion privat. “Ky është një sektor strategjik dhe natyrisht, qeveria shqiptare pyetet, i kërkohet një mendim nga vetë ata që janë të interesuar. Qëndrimi i qeverisë shqiptare është shumë i thjeshtë dhe shumë i qartë, bizneset serbe janë të mirëpritura në Republikën e Shqipërisë, por në këtë sektor strategjik nuk është preferenca jonë”, deklaroi zoti Rama në tetor të vitit të kaluar. Të njejtin qëndrim, ia kishte shprehur edhe përfaqësuesve të "Telekom Serbia" gjatë një takimi në Tiranë, edhe ministri i Infrastrukturës Damina Gjiknuri i cili gjithashtu kishte nënvizuar se prania e tyre nuk ishte e mirëpritur dhe se do të ishte e papërshtatshme edhe për vetë aktivitetin e biznesit pasi mund të provokonte reagime të natyrës politike.

Login to post comments