“Çfarë diskutoi me Afrim Qendron?”, banorët e Astirit Kryeprokurores: Arresto Edi Ramën

E mërkurë, 16 Janar 2019 18:21

Banorët e “Unazës së Re” kanë dalë sërish sot në protestë nga ku kërkojnë që të dëmshpërblehen 100% në vlerën e tregut për pronat e tyre.

Ata përvec kërkesës për shpërblim sipas vlerës së tregut, kërkojnë nga qeveria edhe anullimin e projektit pasi sipas tyre është korruptiv.

Sot në ditën e 74 të kësaj proteste i janë bashkuar si çdo ditë edhe disa deputetë të opozitës të cilët u shprehën se Edi Rama ua bllokoi foltoren e Parlamentit sepse e dinte që opozita do të publikonte aferat korruptive të qeverisë.

Deputeti Klevis Balliu tha se, ka ardhur koha të bashkohemi të gjithë bashkë për ta çuar Edi Ramën dhe të gjithë hajdutët e tjerë që po e zhvasin këtë vend atje ku e kanë vendin, në burg.

Balliu i ka bërë thirrje Arta Markut që të japë përgjigje për atë çfarë bisedoi sot me kreun e ARRSH-së, Afrim Qendron. “Arta Marku që është një kukull e Ramës ka marrë në pyetje sot Afrim Qendron dhe duam të dimë çfarë i thanë njëri-tjetrit. Si ka mundësi që Afrim Qendro nuk e dinte se aty ka korrupsion. Ça përgjigje ka Arta Marku për këtë? Ajo nuk mund t’a mbyllë këtë çështje duke pyetur Afrim Qendron por duke dërguar në burg Edi Ramën,” – u shpreh ndër të tjera Balliu.

Banorët nga ana e tyre kanë paralajmëruar vijimin e protestave dhe përshkallëzimin e tyre nëse qeveria nuk i shpërblen për shembjen e banesave të tyre në masën 100% dhe njëkohësisht, të bëjë edhe anullimin e projektit të “Unazës së Re”, pasi sipas tyre është korruptiv dhe në kurriz të qytetarëve.

Login to post comments