Çudirat e “Anti-KÇK”/ Drafti rikthen dëshirën e Edi Ramës për përgjime alla Sigurimi Shtetit

Hënë, 25 November 2019 19:01

Nëse Etilda Gjonaj e ka nënshkruar draft-ligjin “Anti-KÇK” që prezantoi kryeministri Edi Rama paraditen e së Hënës, duhet të pranojmë se Ministrja e Drejtësisë dhe vartësit e saj kanë një problem shumë të madh me integritetin profesional.

Gjuha e dobët, teknika e dobët legjislative është problemi më i vogël që ka drafti. Në formën aktuale, bazuar në materialin që është publikuar në media, projekti “Anti-KÇK” (Kap Çfarë të Kapësh), është një lloj amalgame, e patrazuar mirë.

Në atë tekst përfshihen kompetenca që Policia e Shtetit aktualisht i ka në dispozicion, por që nuk ka vullnet t’i ushtrojë, ndërthurur me kapërcime të çuditshme të Kodit të Procedurës Penale e deri tek të drejta që i jepen uniformave blu për përgjime pa autorizim, të cilat, në një projekt të mëparshëm, u konsideruan anti-kushtetuese në një ligj të rrëzuar rreth 3 vjet më parë nga Gjykata Kushtetuese, kur kjo e fundit ishte funksionale.

E, mbi të gjitha, drat\fti shkel me të dyja këmbët parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, rrëzon ngrehinën e Reformës në Drejtësi dhe e rikthen Shqipërinë në një shtet policor, të ngjashëm me praktikën komuniste.

I shohim me radhë elementët problematikë. Nuk janë të vetmit që gjenden në atë draft, por janë ato që “Boldnews.al” ka veçuar në projektin “Anti-KÇK”.

1. Policia të identifikojë elementët problematikë
Draft-ligji parashikon që Policia e Shtetit ka për detyrë që të identifikojë elementët problematikë në komunitet, sidomos ata që janë të dyshuar për vepra të rënda kriminale, trafiqe, korrupsion dhe terrorizëm.

Në fakt, nuk është i nevojshëm aspak një ligj i ri për të detyruar Policinë e Shtetit që të identifikojë elementët problematikë në komunitet. Kjo është detyra primare që ka policia në çdo vend të botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Këto detyra, Policia shqiptare i ka në bazë të ligjit në fuqi për Policinë, si edhe në parashikimet e Kodit të Procedurës Penale.

Pra, t’i kërkosh Policisë që të identifikojë elementët e dyshuar nëpërmjet një ligji të ri, duhet të pranosh më së pari se uniformat blu nuk e kanë përmbushur këtë detyrë deri më tani. Dhe, nëse ka mos-përmbushje detyre, kjo nuk vjen për mungesë legjislacioni, por vullneti.

2. Drafti tejkalon Kodin e Procedurës Penale
Problemi më i madh i draftit “Anti-KÇK” është që, pjesa më e madhe e tij, tejkalon Kodin e Procedurës Penale.

Në bazë të këtij drafti, Policisë së Shtetit i jepen kompetenca gati urdhëruese ndaj Prokurorisë dhe Gjykatës. Projekti parashikon që Policia, në bazë të dyshimeve, të urdhërojë ndalim të lëvizjesh, kontroll banesash, sekuestro pasurie dhe, ajo që duket më absurde, konfiskim të pasurisë që mendohet (edhe pa u provuar) se vjen nga krimi i organizuar dhe korrupsioni.

Procedura Penale shqiptare, e mbështetur në praktikën e vendeve të zhvilluara perëndimore, parashikon se veprimet policore të flagrancës kontrollohen nga prokurori, ndërsa veprimet e tjera hetimore vetëm me urdhër prokurori. Në vijim, vendimet e prokurorit nga gjykata.
Drafti “Anti-KÇK” parashikon që policia të veprojë me inisiativë, duke ndaluar lëvizje personash, si edhe duke bllokuar, sekuestruar dhe konfiskuar. Në rast se veprimet e policisë nuk konsiderohen të rregullta nga Prokurori, atëherë efektivët blu i drejtohen vetë gjykatës. Deri në shqyrtimin përfundimtar të rastit, efektet e veprimit policor mbi individët apo pasuritë mbeten në fuqi.

As më shumë e as më pak se sa fuqizohet në mënyrë artificiale Policia e Shtetit, një organizëm në varësi dhe kontroll të qeverisë, duke tejkaluar në këtë mënyrë të çdo parimi të ndarjes së pushteteve, ku gjyqësori është i pavarur.

3. Përgjimet pa autorizim
Drafti parashikon që Policia e Shtetit, vetëm mbi bazën e dyshimeve të saj, të kryejë përgjime ambjentale e telefonike, si edhe të kërkojë çdo të dhënë në entet publike e private, pa pasur më parë autorizimin e prokurorit ose vendimin e gjykatës.

Kjo çështja e përgjimit pa autorizim nga Policia, duket se është një dëshirë e hershme, por e parealizuar deri më tani, e qeverisë së Edi Ramës. Në vitin 2015, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, tashmë nën gjykim për pjesëmarrje në organizatë kriminale, bindi kolegët e tij të Partisë Socialiste për të miratuar një ligj që i lejonte Policisë të kryente përgjime pa autorizim nga prokuroria e gjykata.

Ky ligj u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, vartësit e Tahirit nuk hoqën dorë nga përgjimet e pa-autorizuara, siç tregoi edhe çështja “Imsi-Catcher”.

Gjithësesi, historia përsëritet dhe Edi Rama, i cili duket se ka qenë inisiator edhe i ligjit të rrëzuar në vitin 2016, propozon sërish që Policia të marrë kompetenca për të kryer përgjime pa kaluar në filtrin e Prokurorisë dhe Gjykatës.

4. Rrëzim i Reformës në Drejtësi
Draft-ligji “Anti-KÇK” bie tërësisht ndesh me parashikimet e Reformës në Drejtësi, e cila kishte si synim madhor shkëputjen e ndikimit politik në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta.

Projekti i prezantuar nga kryeministri Rama parashikon komplet të kundërtën. Hetimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, vetëm mbi bazën e dyshimeve, i kalon Policisë së Shtetit, e cila ka varësi politike nga Ministria e Brendshme dhe Qeveria.

Drafti bie ndesh edhe me parashikimet e ligjit të njohur si “Antimafia”, i cili ka të parashikuar rastet e nisjes së hetimit pasuror, sekuestrot dhe konfiskimet. Madje, aq i rëndësishëm konsiderohet ligji “Antimafia”, saqë, në paketën e Reformës në Drejtësi, ai iu nënshtrua disa amendimeve për të qenë më efikas në luftën kundër grupeve kriminale dhe lidhjeve të tyre me zyrtarë të lartë.

Por, të gjithë këto, rrëzohen me një “ligj” të vetëm, këtë që Edi Rama e konsideron si “Anti-KÇK”, i cili, në fund të fundit nuk është gjë tjetër veçse një manovër e kryeministrit për të kanalizuar debatin publik tek “çudirat ligjore”, për të shmangur sa më shumë vëmendjen nga problematikat e theksuara që ka aktualisht Shqipëria.

Nga Boldnews

Login to post comments

Lajmet e fundit

“Metamorfoza” tek Onkologjiku, dalin përgjimet mes mjekëve

Politikë

“Metamorfoza” tek Onkologjiku, dalin përgjimet mes mjekëve

  Pacientët trajtoheshin jo si qenie njerëzore, por vetëm si burim parash për mjekët dhe specialistët tek Onkologjiku, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Pas përgjimeve të publikuara në media, shihet sesi...

Furia Kuq e Zi në rrugët e Düsseldorf në prag të ndeshjes Shqipëri-Spanjë

Sport

Furia Kuq e Zi në rrugët e Düsseldorf në prag të ndeshjes Shqipëri-Spanjë

  Sonte në mbrëmje do të luhet akti i fundit i ndeshjeve në grupe mes kombëtares sonë dhe asaj iberike. Ndeshja Shqipëri-Spanjë e cila do të luhet në stadiumin e Dyseldorfit do...

Të gjithë sytë nga Dusseldorfi, Shqipëria ëndërron kualifikimin përballë Spanjës

Sport

Të gjithë sytë nga Dusseldorfi, Shqipëria ëndërron kualifikimin përballë Spanjës

  Mbrëmja e Dyseldorfit është një takim me historinë për Shqipërinë, që sot mund të kalojë kufijtë e vetvetes me një kualifikim të mundshëm për në fazën me eliminim direkt të...