Ndërkohë që Shqipëria është në emergjencë kombëtare, ku mijëra banorë kanë mbetur pa shtëpi në Tiranë, si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit, Ujësjellësi i Tiranës ka gjetur kohën më të papërshtatshme për të shpenzuar 5 miliardë lekë (të vjetra) për ngritjen e një godine të re.
Në Buletinin e Prokurimit Publik të datës 2 Dhjetor 2019, ndërmarrja e Ujësjellësit të kryeqytetit, nën varësinë e Erion Veliaj, ka publikuar njoftimin për zhvillimin e tenderit për ngritjen e një godine të re për institucionin.
Sipas të dhënave publike, fondi limit për tenderin që pritet të zhvillohet në fund të muajit Dhjetor është 480 milionë lekë të reja (rreth 5 miliardë lekë të vjetra ose rreth 5 milion dollarë).
https://boldnews.al/wp-content/uploads/2019/12/dokument-696x777.jpg 696w, https://boldnews.al/wp-
Qeveria shqiptare, e cila ka shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore, tashmë është në garë me kohën për të siguruar fonde për rindërtimin e banesave të shkatërruara nga tërmeti, një pjesë e të cilave në territorin e Tiranës.
Por kjo situatë duket se nuk e ka shqetësuar aspak administratën e Erion Veliajt që të kryejë investime, të cilat konsiderohen “luksi” në këtë moment të vështirë për qytetarët dhe financat publike.
Për më tepër, ngritja e një godine të re për Ujësjellës-Kanalizime Tiranë nuk duket se është një çështje urgjente. Aktualisht, ky institucion ka zyrat kryesore në godinën e një ish-kompanie celulare që mbylli aktivitetin disa kohë më parë.
Por, pas sistemimit të vitit të kaluar, tashmë Ujësjellësi në varësinë e Veliajt ka menduar të akomodohet në një godinë të re. E, për të realizuar këtë qëllim, është vendosur të shpenzohen rreth 5 miliardë lekë, pikërisht në kohën kur mijëra qytetarë nuk e dinë se kur mund të kenë një strehë mbi kokën e tyre.
Ky shpenzim “luksi” rrëzon edhe propagandën e “Lali Erit”, i cili, ditën pas tërmetit të 26 Nëntorit, deklaroi publikisht se Bashkia e drejtuar prej tij do të ndihmonte me rreth 1 miliardë lekë (të vjetra) bashkinë e Krujës, pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti në Thumanë.
“Sot akordojmë menjëherë një ndihmë prej 100 milionë lekësh për Bashkinë e Krujës, aty ku ndodhet Thumana”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj disa ditë më parë.
Ndërkohë që prezantohet si “bamirës” për banorët e Thumanës me paratë e taksa-paguesve kryeqytetas, administrata e tij vendos të tregohet 5 herë më shumë “bamirës” për godinën e re të Ujësjellësit të kryeqytetit.