Investigimi i BIRN/ Testet e COVID-19 për 150-350 euro? Ekspertët publikë ngrenë alarmin: Ligji i detyron edhe spitalet private të ofrojnë gjithçka falas për qytetarët!

Tuesday, 31 Mars 2020 15:42

Një ofertë e Spitalit Amerikan për t’u përfshirë në procesin e testimeve për COVID-19 shihet me dyshim nga ekspertët e shëndetit publik në Shqipëri, të cilët theksojnë se legjislacioni shqiptar i detyron spitalet që të ofrojnë falas testimet dhe kurën për të sëmurët –pavarësisht nëse janë publikë apo privatë.

Në skenarët e dobët të filmave hollivudianë që kanë si subjekt fundin e botës, ata që shpëtojnë janë kryesisht të pasurit – të cilët arrijnë të blejnë një biletë në ‘Arkën e Noes’ si dhe një grup i vogël njerëzish të aftë dhe të kualifikuar, që kanë si qëllim ta rindërtojnë shoqërinë nga e para.

Por pas një oferte të bërë publike nga drejtuesi i Spitalit Amerikan në Tiranë për të bërë teste për koronavirusin e ri COVID-19, me një kosto nga 150 euro deri në 350 euro – të barabartë me pagën mujore të një punëtori shqiptar, trillimet e filmave duket se po i ofrohen realitetit dhe situatës së jashtëzakonshme të krijuar nga pandemia në Shqipëri.

Oferta e Spitalit Amerikan, e bërë publike në një dalje televizive nga drejtuesi i tij, Klodian Allajbeu dhe mjekja e laboratorit, Albana Daka, ka ngritur shqetësime mes drejtuesve të shëndetit publik në Shqipëri, pasi legjislacioni shqiptar shprehet qartë se diagnoza dhe kura për të sëmurët nga një sëmundje epidemike duhet të ofrohet pa diskriminim dhe falas, pavarësisht nëse institucioni që e ofron është publik apo privat.

“Duhet të zbatohet fort ligji dhe të ndihmohen qytetarët falas për sëmundjet infektive sipas ligjit,” tha Silva Bino, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive pranë Institutit të Shëndetit Publik.

Ndërkohë, mjeku i sëmundjeve infektive, Pëllumb Pipero nënvizoi se decentralizimi i kontrollit mbi epideminë mund të krijonte konfuzion.

“Shteti është ai që ka përgjegjësinë për shëndetin publik, jo privati,”tha Pipero. “Privati nuk e bën dot hetimin epidemiologjik dhe as e ka për detyrë,” shtoi ai, duke theksuar se edhe nëse vendosej të bëheshin testime në privat, ato duhej të kryheshin nën “kontrollin apo monitorimin” e Institutit të Shëndetit Publik.

I pyetur nga BIRN, drejtori i Spitalit Amerikan, Klodjan Allajbeu tha në një bisedë telefonike se ligji nuk kishte asnjë dispozitë që të pengonte ofrimin e testeve në treg për ata që donin t’i bënin me pagesë, por shtoi se ende nuk ishte përcaktuar se si do të procedohej në këtë rast.

“Nëse do kërkohej nga Ministria e Shëndetësisë, Spitali Amerikan do i ofronte testet falas,” pranoi Allajbeu, ndërsa shtoi se do të prisnin dhe do zbatonin “strategjinë e ministrisë” dhe nëse kishte nevojë për hetim epidemiologjik, kjo do duhej të kryhej nga Instituti i Shëndetit Publik.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga BIRN mbi ligjshmërinë e ofertës së Spitalit Amerikan.

Teste me para tek privati

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, deri të martën më 30 mars janë realizuar 1671 testime për COVID-19 në vend, prej të cilave 243 kanë rezultuar pozitive. Qeveria është përballur me kritika nga opozita për numrin e ulët të testeve, ndërsa është mbrojtur se po zbaton metodologjinë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, edhe pse kjo e fundit po ashtu ka kërkuar më shumë testime.

Aktualisht testet realizohen në laboratorin e ISHP-së, por më 25 mars, në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në emisionin “Opinion”, drejtori i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu tha se institucioni që ai drejtonte i kishte mundësitë të bënte testime masive. Ai tha se kishin një pajisje që mund të bënte më shumë se 4 mijë teste në ditë dhe se po priteshin reagentët për të filluar testimet nga data 30 mars.

Allajbeu nuk foli për kostot, por një ditë më vonë, Albana Daka, një prej mjekeve të Spitalit Amerikan dhe përgjegjëse për laboratorin, i bëri publike kostot e mundshme të një testi për COVID-19.

“Nëse një pacient do ta bëjë në mënyrë private, shkon nga 150 në 350 euro,” tha ajo.“Testet bëhen në laboratorë që konsiderohen laboratorë të sigurisë së lartë,” shtoi Daka.

Megjithë ofertën e bërë tashmë publike nga Spitali Amerikan, shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino tha në një konferencë për shtyp të shtunën se edhe pse po shikoheshin mundësitë për ta zgjeruar rrjetin laboratorik që teston për COVID-19, ky zgjerim pritej të shkonte drejt publikut dhe jo privatit.

Ajo shtoi se nëse do lindte nevoja, testet mund të bëheshin në laboratorin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe më tej në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

“Jemi duke parë aftësitë e testimit në dy laboratorë të tjerë publikë, në QSUT dhe Shefqet Ndroqi,” tha Bino. “Do të shikojmë edhe mundësinë e testimeve të tjera në vende të tjera, pra laboratorë publikë. Qytetarëve t’u ofrojmë teste që janë të ndjeshme,” shtoi ajo, ndërsa theksoi se veç testeve duhej edhe vlerësimi klinik prej mjekëve.

Bino gjithashtu sqaroi se nuk kishte ende një vendim nga autoritet shëndetësore nëse testet për koronavirusin e ri mund të realizoheshin në spitale private.

“Përsa u përket spitaleve jopublike, akoma nuk ka një vendim në lidhje me këtë gjë. Komiteti është duke e vlerësuar për mënyrën se si do të operojnë këto spitale dhe si do ta ofrojnë këtë testim, nëse do të mundet, pasi të jetë bërë vlerësimi,” tha ajo, duke theksuar nevojën e certifikimit të laboratorëve.

“Instituti i Shëndetit Publik ka laboratorin e referencës. Është i vetmi laborator që ka bërë kontrollin e cilësisë. Është i vetmi laborator i licencuar për këtë sëmundje,”theksoi Bino.

I pyetur nga BIRN, drejtori i Spitalit Amerikan, Klodjan Allajbeu tha se spitali ishte certifikuar një vit më parë për të kryer testet për SARS, një sëmundje e ngjashme me Covid 19, dhe se mbi këtë bazë spitali kishte kryer deri së fundmi teste të stafit dhe të urgjencave.

“Në rast se dikush ka ardhur në urgjencën tonë për probleme kardiake dhe ka pasur temperaturë, i është bërë edhe testimi,” tha Allajbeu, duke shtuar se nga këto teste nuk kishte pasur asnjë pozitiv dhe se për këtë arsye, ato nuk ishin raportuar pranë ISHP-së.

Allajbeu tha se pavarësisht nëse kishte apo jo mundësi spitali, ata duhej të prisnin vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të filluar apo jo testimet. Ligji parashikon se në raste epidemish, laboratorët duhet të certifikohen dhe vendimmarrja për këtë duhet të jetë e centralizuar.

Allajbeu tha se laboratori i tyre i plotësonte kushtet, por vendimmarrja për këtë ishte e qeverisë. Sipas drejtuesit të Spitalit Amerikan, vende të ndryshme kishin bërë decentralizim të testimeve për të testuar sa më shumë banorë, por shtoi se vendimi mbi strategjinë i përkiste Ministrisë së Shëndetësisë dhe ata do t’i zbatonin këto vendime.

Ndryshe nga Allajbeu, mjeku Pëllumb Pipero i tha BIRN se laboratorët duhej të ishin certifikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe se në këtë moment, nuk kishte një vendim për të zgjeruar testimet dhe se ai nuk e shihte këtë të nevojshme.

“Qeveria, nëse e sheh të nevojshme, të rrisë kapacitetet. Mund të zgjerohet me një laborator tjetër të certifikuar, por vetëm nën kontrollin e shtetit,” tha Pipero.

Ndërkohë, ai e cilësoi si të parealizueshme idenë e 4 mijë testeve në ditë të pretenduara nga Spitali Amerikan.

“Ne kemi bërë maksimumin e testeve, nuk ka mundësi për të bërë më shumë teste. Është e vështirë të mblidhen 4000 tampone në një ditë,” tha Pipero, duke nënvizuar se veç testimeve bëhej dhe hetimi epidemiologjik i rasteve pozitive.

Ai shtoi se edhe në rast se do të kishte zgjerim, ai duhej të bëhej nën kontroll të plotë të ISHP-së, pasi ishte e vetmja mënyrë për të shmangur konfuzionin.

“Megjithatë, qeveria nëse e sheh të nevojshme të zgjerojë testimin, mund të gjejnë një formë për të bërë këtë”, tha Pipero.

Ligji sanksionon që testet janë falas

Ligji shqiptar për “Për parandalimin e sëmundjeve e epidemike”, i miratuar në vitin 2016 e ndalon mundësinë për të komercializuar dignostifikimin dhe kurimin e sëmundjeve epidemike.

Neni 4 i ligjit “Për parandalimin e sëmundjeve e epidemike” ndalon diskriminimin midis pacientëve, ndërsa në pikën “ç” për të mos lënë hapësirë abuzimi, sanksionon se “parandalimi dhe luftimi i sëmundjeve infektive me karakter epidemik…, ofrohet falas për çdo person”. Ligji e përsërit këtë detyrim edhe dy herë të tjera.

“Çdo person i sëmurë nga sëmundjet infektive me karakter epidemik ka të drejtën dhe detyrimin të mjekohet falas në çdo institucion shëndetësor publik apo jopublik,” thuhet më tej në ligj.

Po ashtu në nenin që përcakton financimin, bëhet e qartë se ndërsa barra ishte mbi buxhetin e shtetit, edhe “institucionet jopublike marrin masa që, me financat e tyre, të përmbushin detyrimet që rrjedhin nga zbatimi i këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.”

I pyetur nga BIRN rreth parashikimeve ligjore, Allajbeu tha se nuk ishte në dijeni që ligji kërkonte që testimet të ishin falas.

“Unë nuk e di që ligji të thotë që shërbimi do jetë falas,” tha ai, ndërsa shtoi se juristë e spitalit i kishin shpjeguar se shërbimi falas nuk përfshinte testimin. Allejbeu megjithatë shtoi se nuk ishte i sigurt se si do të procedohej më tutje, pasi pritej vendimmarrje nga qeveria dhe strategjia që do të ndiqej në vijim.

Ai nënvizoi se spitali nuk kishte ndonjë fitim financiar nga testet, në krahasim me shërbimet e tjera dhe se nëse do të kërkohej nga qeveria, “testet do të bëheshin falas”.

“Varet nga strategjia që ata do të zgjedhin,” tha ai, duke përmendur si mundësi edhe rimbursimin nga buxheti i shtetit.

Ndryshe nga Allajbeu, specialistë e shëndetit publik i thanë BIRN se epidemia nuk mund të mbahej nën kontroll duke komercializuar testet dhe shmangur metodologjinë që përdorej nga ISHP.

Pipero shpjegoi se kishte arsye pse testet bëheshin në këtë mënyrë dhe pse kontrolli i tyre ishte i centralizuar, për të mundësuar një gjurmim më të mirë të rasteve dhe për të ndaluar përhapjen.

Edhe Bino i tha BIRN se edhe pse mund të kishte persona që mund dhe do të paguanin për të bërë një test, kjo nuk ishte mënyra se si parashikohej në ligj të funksiononte sistemi.

“Kjo nuk është zgjidhje për personin, zgjidhja është sa e ndihmon shëndetin publik,” përfundoi Bino./BIRN

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...