Kadare: Gjer më sot, Lasgush Poradeci ka mbetur për mua njeriu më i jashtëzakonshëm

Diel, 14 November 2021 10:08

 

Ajo çka, në vend që të më mundonte, më mahniste gjithmonë, sa herë që takoja Lasgush Poradecin, ishte ndjesia e së pamundurës.

Ishte e pamundur të merreshe vesh me të si me të tjerët. Porsa hyje tek ai, madje porsa trokisje në portë, aty për aty gjithçka tjetërsohej.

Tjetër logjikë në të biseduar, tjetër kod, të tjera fjalë, të mbështjella me kuptim tjetër. Diçka mungonte përherë, e diçka qe e tepërt. Ai vetë ishte aty, i vëmendshëm për gjithçka, e megjithatë, ti e ndjeje se sa ç’ishte , aq edhe mungonte.

Më e habitshmja ishte se ty të pëlqente kjo, se nuk doje aspak që të prishej kjo magji, ashtu si nuk doje që fjalëve që thuheshin t’u ikte dysia, velloja me të cilën sapo ishte mbështjellë dhe t’u ktheheshin kuptimet e tyre të mirëfillta, që ngjanin tani të zbehta.

Një njeriu meskin do t’i dukej i krisur, një tjetër mund të mendonte se atë mjegullirë ia krijonte pleqëria. Por s’ishte as e para, as e dyta.

Lasgushi ishte aty, disa qindra hapa larg, megjithatë, përse nuk nisesha me ngut, me panik, për të mos humbur kohë? Përse nuk kam shkuar më shpesh, thosha me vete. Dhe prapë shkoja rrallë. S’kisha kurrfarë droje se do ta shqetësoj. Ai më priste përherë me kënaqësi, madje më çonte fjalë t’i shkoja. Ishte një pengesë e tjeterfartë. Pengesa që shkakton ëndrra. Askush nuk ngutet të shkojë drejt saj. Sepse, në fund të fundit, vonesa dhe ngadalësia bëjnë pjesë në mekanikën e saj.

Të shkoje tek ai, ishte më shumë se të dilje jashtë shtetit. Të dukej se dilje jashtë kohës, jashtë sistemit të zakonshëm të të menduarit. Edhe një hap dhe kishe ndjesinë se do të kapërceje kufijtë e jetës për të shkelur në shkretinë danteske.

Prej vitesh, qysh pas mbarimit te Luftës së Dytë Botërore, ai kishte qenë përherë i tillë: i gjallë dhe i vdekur njëkohësisht. Shumë gjimnazistë, që e bënin në mësim, e kujtonin të vdekur. Të tjerë ua shpjegonin se nuk ishte ashtu, se ishte gjallë, por as të parët, as të dytët nuk habiteshin nga kjo. Ishte një gjendje e dyzuar që i shkonte atij dhe shumë njerëz qenë mësuar me të, si me dikë që e kundrojnë përherë nën syprinën e ujit. Ishte nga të rrallët njerëz dhe, ndoshta , i vetmi shkrimtar i madh që arriti për një kohë aq të gjatë , duke qenë i gjallë, të përjetojë vdekjen e tij.

Pamja e tij e jepte shpeshherë në mënyrë të saktë këtë dyzim, sidomos kur vishte kostumin e zi dhe vinte borsalinë të zezë. Në një rast të tillë të dukej e natyrshme ta pyesje nëse dilte apo shkonte drejt arkivolit. Më e çuditshmja ishte se ky fat i tij nuk zgjonte keqardhje. Ndjenja e keqardhjes, e mëshirës së mundshme, e pikëllimit që ai qe harruar pa të drejtë, thërrmohej si një enë kristali sapo ndeshej me të.

Kur ai hynte në kafenetë e Pogradecit, shkrimtarët që vinin për verim kishin ndjesinë se po strukeshin nga një stuhi e padukshme. Ai ishte i paparashikueshëm, gërryes si acid, i rrezikshëm, i beftë. E qeshura e tij ishte si e tejtejshme, pa gëzim, mërzitja e tij e papikëllueshme. Kështu e kishte edhe zemërimin, luksoz, të ftohtë, kurse përbuzjen, rrezatuese që larg, si të stolisur me argjend.

Por gjëja më e jashtëzakonshme ishte e folura e tij. Gjë më të pangjashme me bisedën e përditshme, nuk mund të përfytyroje dot. Ndonëse ishte e qartë, pa stërhollim, fare e rrokshme, madje për gjëra të ditës, ajo e kishte kryekëput të ndryshme gjithçka: ndërtimin e saj, logjikën, ritmin, kthimet prapa. Ishte e papërftueshme, të mendoje që ai ose ti, në fillim të bisedës, të thoshit diçka për kohën, shëndetin, ose shprehjen ç’të reja kemi? Ai mund të shikonte ftohtë, të mos përgjigjej dhe të harronte që ti ishe aty. Çdo takim me të ishte përherë befasues, jashtë çdo skeme dhe parashikimi…

…Mekanizmi i kohës së tij ecte herë përpara, herë mbrapsht e herë në vend. Edhe oraret ashtu i kishte: çohej nga gjumi në orën 11. Hante mëngjes. Flinte përsëri në 12. Hante drekën në 5 mbasdite. Flinte në 6. Çohej në 8 dhe punonte gjer më 3 pas mesnate. Pamja e tij, po aq sa e folura, i shpëtonte çdo cilësimi. Ai ishte aristokrati dhe fshatari njëkohësisht, vjenezi i përkorë dhe ballkanasi me shkop shtogu, bjondi dhe bruni, i ashpri dhe fini. Ai herë të kujtonte aktorin gjermano-shqiptar të viteve ’30, Aleksandër Moisiun, herë grekët e lashtë të mbështjellë me zhgun jashtëkohor, e herë Papa Gjon Pali II.

Gjatë udhëtimeve në shumë vende të botës më ka qëlluar rasti të njihem me njerëz të pazakonshëm, nobelistë, filozofë, aktorë, politikanë, shkrimtar të mëdhenj, por gjer më sot Lasgush Poradeci ka mbetur për mua njeriu më i jashtëzakonshëm , më i ndërlikuar e më i pakuptueshëm që kam njohur. Kam biseduar për të me njerëz që i kishte edhe më të afërt: të shoqen, vajzat, gruan që ka qenë pasioni i tij i fundit, por askush nuk ka kuptuar diçka më shumë prej tij.

Me sa duket, kodin zbërthyes ai e mori me vete në varr. Duke e parë, dhe sidomos duke e dëgjuar, gjithmonë mendoja se si ishte e mundur që njeriu ballkanas, njeriu shqiptar, të arrinte një ndërlikim të tillë, përkryerje, mëvetësi dhe mister

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...