Dje është mbajtur nata e dytë gjysmëfinale e “Eurovision 2018”. Plot 18 shtete konkurruan gjatë natës së mbrëmshme, nga të cilat 10 prej tyre arritën që të sigurojnë një vend për në finalen e madhe.
Në natën e mbrëmshme u prezantua edhe shteti i Serbisë, i cili u përfaqësua nga këngëtarja Sanja Ilic dhe Balkanika, me këngën “Nova Deca”.
Një detaj shumë interesant pas përfundimit të këngës, ka marrë vëmendjen e të gjithëve.
Pasi kanë mbaruar performancën e tyre, vetëm pak sekonda më vonë, gjersa po prezantoheshin këngëtarët e shtetit tjetër, është shfaqur flamuri i Kosovës.
Kjo është bërë përmes dy telefonave, të cilët shfaqnin flamurin e Kosovës, detaj ky i cili u kap edhe nga kamerat dhe u transmetua direkt.
Një ngjarje e tillë është komentuar shumë në rrjetet sociale, veçanërisht nga serbët, të cilët kanë kritikuar edhe vet “Eurovisionin” për transmetimin e këtyre pamjeve duke i quajtur provokuese, shkruan Telegrafi.
Kosova ende nuk ka të drejtë pjesëmarrje në “Eurovision”, kjo pasi nuk është anëtare e EBU (Unioni i transmetuesve të Evropës), dhe pengesë për këtë është edhe Serbia që nuk e njeh Kosovën si shtet.
Ndërkohë, Shqipëria, e cila këtë vit përfaqësohet nga Eugent Bushpepa me këngën “Mall”, ka arritur gjithashtu të jetë pjesë e finales së madhe.