Shumë shqiptarë që jetojnë në Suedi janë zgjuar sot duke protestuar para ambasadës së Kosovës. Ata janë shprehur kundër idesë për ndryshimin e kufijve të Kosovës.
‘Hashim ik, jo ndarje, dorëheqja nuk mjafton’, e të tjera si këto janë disa nga parullat që ata kanë mbajtur në duar.
Ata janë shprehur të shqetësuar me politikën aktuale në Kosovë dhe siç thonë janë kundër veprimeve të presidentit, Hashim Thaçi dhe kryeministrit, Ramush Haradinaj.
‘Politikat e tyre janë në kundërshtim të plotë me kushtetutën e Republikës së Kosovës’, thuhet në deklaratën e bashkëatdhetarëve.
Me anë të kësaj proteste ata po bëjnë thirrje për shkarkimin e Thaçit, Haradinajt, shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, ndërprerjen e idesë për shkëmbim të territoreve etj.
Më poshtë peticioni i plotë i shqiptarëve në Suedi:
Stockholm, Suedi
Më 02.09.2018
Kuvendit të Republikës së Kosovës
Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës
Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës
Ambasadës së Republikës së Kosovës në Suedi
Të shqetësuar për gjendjen e rëndë politike në Republikën e Kosovës, dhe për veprimet e pamatura e shumë të dëmshme për të tashmen dhe të ardhmen e vendit të Presidentit të Republikës së Kosovës, z. Thaçi dhe kryeministrit të Qeverisë së R. Së Kosovës z. Ramush Haradinaj, komuniteti shqiptar në Suedi përmes kësaj letre dhe proteste shpreh këto shqetësime.
Ka kohë që politikat e Presidentit Thaçi dhe Kryeministrit Haradinaj janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën dhe interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Nënshkrimi i Asociacionit të komunave serbe me kompetenca ekzekutive, falja e 8200 hektarëve tokë të Kosovës Malit të Zi, udhëheqja e bisedimeve me palën serbe pa miratimin e Kuvendit, interferimi i drejtpërdrejtë në organet e drejtësisë, kapja e çdo institucioni shtetërorë nga bandat e klanet e qeveritarëve, kidnapimi i shtetasve turq, e tash së fundi edhe ideja për këmbim territoresh me shtetin serb, janë shkelje të rënda mbi Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për të cilat jemi të shqetësuar dhe ftojmë të gjithë që ta parandalojmë dhe t’i kundërvihemi një të keqe shumë të madhe që rrezikon sovranitetin dhe ekzistencën e vendit.
Ideja e z. Thaçi për këmbim territoresh, me shtetin serb, është e dëmshme dhe e papranueshme për qytetarët e Republikës ë Kosovës, sepse është cenim i integritetit territorial dhe i rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Përderisa Presidenti Thaçi bën marrëveshje të fshehta, me Presidentin Vuçiç, ai është i papranueshëm për ta udhëhequr shtetin e Republikës së Kosovës, sepse me këto marrëveshje ai është duke e përçarë skenën politike në vend, duke e dërguar atë drejt një destabilizimi me përmasa të paparashikueshme. Duke i parë veprimet dhe shkeljet e vazhdueshme të Presidentit Thaçi mbi Kushtetutën, ne i kemi këto kërkesa:
- dorëheqjen e Presidentit Thaçi,
- dorëheqjen komplete të Qeverisë Haradinaj,
- shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme,
- ndërprerjen e ideve për këmbim territoresh, dhe
- mbylljen e derës për çdo qeveritar a bartës të institucioneve të kësaj nomenklature plëngprishëse e antidemokratike nga mërgata në Suedi e gjithandej në botë.
Këshilli organizativ i protestës