Një shqiptar është arrestuar në Barcelonë i dyshuar si kreu i një grupi kriminal, të cilët mendohet të kenë kryer 52 grabitje në banesa në Euskadi, Katalonjë dhe rajonit francez Bask, njoftoi sot policia lokale.
Nga raportimet e mediave lokale nuk bëhet ende i ditur identiteti i shqiptarit, por ato shkruajnë se arrestimi ndodhi më 26 Prill nga një bashkëpunim i forcave policore “Mossos d'Esquadra” dhe “Ertzaintza”.
Ky arrestim erdhi si rezultat i një hetimi që nisi tre muaj më parë, pas zbulimit të një numri të konsiderueshëm plaçkitjesh në provincën Gipuzkoa, mes gjysmës së dytë të vitit 2017 dhe muajve të parë të 2018-ës. Shqiptari u vu në pranga në një banesë në Barcelonë, ku u sekuestruan mes të tjerash edhe një sasi e konsiderueshme parash.
Hetimi i njohur nën kodin “Operativo TROU” i atribuoi grupit një total prej 24 vjedhjesh në San Sebastián, Hondarribia, Berastegi, Hernani, Urnieta, Oiartzun dhe Irun. Grupi kriminal i kryente vjedhjet gjatë natës, kur banorët e shtëpive të piketuara ishin në gjumë, duke u futur në banesa përmes dritareve.
Hetimet i çuan efektivët francez te një burrë me origjinë shqiptare, banues në Katalonjë, i cili udhëtoi në mënyrë periodike në San Sebastian, i shoqëruar nga një grua dhe qëndronte në hotele të ndryshme në kryeqytetin e Gipuzkoa, për periudha që varijonin nga shtatë deri në dhjetë ditë.