Dy herë i dënuar për arratisje, i ridënuar në revoltën e Spaçit, afro 33 vjet i burgosur

Hënë, 22 October 2018 18:23

Nga Kastriot Dervishi

Sali Çuni, lindur më 1932 në Letaj të Kukësit, është i dënuari i politik i radhës, historinë e të cilit e kam përmbledhur në pak rreshta. Familja e tij u arratis në vitin 1949 në Jugosllavi. Pas amnistisë së vitit 1956, nga malli për atdheun, u kthye në Shqipëri, një vit më pas, riatdhesohet në Shqipëri. U dënua tre herë. Vuajti gjithsej: 32 vjet, 8 muaj, 13 ditë.

-Periudha e vuajtjes së burgimit:

1957-1967: 10 vjet,1 muaj, 25 ditë

1968-1990: 22 vjet, 6 muaj, 18 ditë;

-Mosha në fillim të dënimit: 25 vjeç

-Mosha në mbarim të dënimit: 59 vjeç

Dënimi i parë

Pas riatdhesimit, trajtohet si “armik i pushtetit popullor” dhe internohet në Lushnjë. Pa mbushur ende dy javë, largohet me dëshirën për t’u arratisur. Vetëm aq ditë i mjaftuan për të marrë vesh realitetin e zi në Shqipëri. Synon të arratiset nga Qafa e Thanës. Arrestohet më 6.11.1957 “nga vigjilenca e fshatarëve”, u qëllua me armë në Sul të Gramshit. Çështja e tij u trajtua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, e cila me vendimin nr.14, datë 10.3.1968, e deklaroi fajtor dhe në bazë të nenin 64 të Kodit Penal e dënoi me 15 vjet burgim e konfiskim të pasurisë. U la në fuqi nga Gjykata e Lartë me vendimin nr.42, datë 12.4.1958. Kryen dënimin, lirohet më 31.12.1967 dhe internohet në Rrethin e Elbasanit.

Dënimi i dytë

Pas daljes nga burgu, Sali Çuni u internua në Rrethin e Elbasanit. Punonte marangoz, ndërsa shënohet se ishte autodidakt dhe se “ushqente vazhdimisht ndjenja armiqësore ndaj pushtetit popullor”. Vendos të arratiset. Fillimisht lajmëronte përgjegjësin te vendi i internimit të duhej të vizitohej dhe ikën me shpejtësi në fshatin e tij Letaj të Kukësit, prej nga mendonte të kryente arratisjen. Kalon natën në Fushë-Krujë, e pastaj me makinë nga Miloti niset në Kryezi të Pukës te një mik, të cilit i tregoi qëllimin e arratisjes. Merr bukë edhe me dy të afërm në zonën e Kukësit, por kur do kryente arratisjen, arrestohet nga forcat e Sigurimit më 23.6.1968. Çështja u gjykua nga Gjykata e Qarkut Shkodër, e cila me vendimin nr.31, datë 26.8.1968, e deklaroi fajtor në bazë të nenit 64 të Kodit Penal dhe e dënoi me 15 vjet burgim e konfiskim të pasurisë. U la në fuqi nga Gjykata e Lartë me vendimin nr.129, datë 30.9.1968.

Dënimi i tretë

Sali Çuni vuante dënimin në kampin nr.303 në Spaç, kur u ridënua për pjesëmarrje në revoltën e Spaçit më 21.5.1973. Me vendimin nr.32, datë 13.7.1973 Gjykata Popullore e Mirditës e drejtuar, e dënoi me 20 vjet burgim në bazë të nenit 73 (agjitacioni e propaganda) të Kodit Penal, në një proces ku u dënuan edhe 14 të dënuar të tjerë. Në vendim thuhet se jo vetëm ishte solidarizuar me revoltën, por kishte hedhur “thirrje të hapura armiqësore” .U lirua nga burgimi më 10.1.1991. Iu shkatërrua krejt jeta në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës.

Login to post comments