Nga Kastriot Dervishi
Kuvendi i Vlorës, i mbajtur më 28 nëntor -7 dhjetor 1912 kishte vlerën e një asambleje kombëtare. Krahinat u përfaqësuan nga delegatët përkatës. Kuvendi fillimisht shpalli pavarësinë, e më pas zgjodhi organet e përkohshme si qeverinë dhe pleqësinë (e cila nuk u mblodh asnjëherë). Nënshkrimi i aktit të pavarësisë u bë ditën e parë të Kuvendit. Nënshkruan vetëm delegatët që ishin atë ditë në Vlorë. Nuk u ndoq procedura e ndjekur më vonë në Lushnjë, në vitin 1920, në të cilën delegatët nënshkruan edhe pas mbarimit të kongresit. Në nënshkrimin e vitit 1912 nuk ishin më shumë se gjysma e delegatëve të pranishëm. Dokumentin e aktit themeltar, e ruajti mendjendrituri Lef Nosi. Gjatë kohës së luftës, dy arka me dokumente të çmuara të historisë së Shqipërisë, përfshi edhe dokumentin e pavarësisë, Nosi i vendosi në kasafortën e Bankës së Shqipërisë. I frikësohej dëmtimeve të mundshme që mund të sillte koha që po vinte. Megjithatë, për të zezën e Shqipërisë, komunistët erdhën në pushtet. Krejt pa përvojë në punët e shtetit, amatorë të rrezikshëm, shkatërruan një pjesë të madhe të arkivave, duke sjellë ndër të tjera edhe një katastrofë e një dëm të pariparueshëm në trashëgiminë historinë të vendit. Dy arkat e Lefit, deri në vitin 1948 qëndruan në Bankë. Më pas u morën dhe u kontrolluan nga njerëzit më të papërshtatshëm për dokumente, oficerët e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të cilët mendjen e kishin te “koha e gjermanit”, se Shqipëria tjetër as që ekzistonte për ta. Njëra nga arkat është gjetur e thyer sepse ishte kontrolluar për koleksione pullash. Në raportin përkatës, ndër të tjera thuhej:
“Mbasi u sollën në Drejtori, u fillua nga kontrolli i imët për të mundur gjetjen e dokumenteve të ndryshme si korrespondenca të regjencës me okupatorin nazist dhe organizatat antipopullore Balli e Legaliteti, të regjimeve fashiste, që të faktonim qëndrimin dhe punën e aparateve kuislinge, organizatave antipopullore e okupatorëve të ndryshëm kundër interesave të vendit e popullit tonë. Të tilla dokumente gjatë kontrollit nuk u gjetën”.
Dokumentet më të rëndësishme kishin të bënin me studimet e Lef Nosit, çështjen e kufijve të Shqipërisë, konferencën e ambasadorëve, Luftën e Parë Botërore, harta topografike të Shqipërisë, etj, etj. Po ashtu, sipas procesverbalit, në arkat gjendeshin edhe “dokumente mbi shpalljen e independencës dhe zgjedhjen e qeverisë së përkohshme më 1912”.
Është provuar ekzistenca e dokumentit brenda institucioneve shtetërore në vitin e festimeve të 50-vjetorit të pavarësisë. Më pas, kaloi në një procedurë “dhurimi” aspak normale, por gjithsesi brenda Shqipërisë (rezervohem momentalisht për më shumë se kaq). Shtetit shqiptar si pasojë e mosvlerësimit fare të arkivave, i kanë humbur dokumente shumë të rëndësishme të jetës së tij. Mosadministrimi i dokumentit të pavarësisë është simbolika më e hidhur e gjendjes administrativo-arkivore të shtetit shqiptar.