Nga Kastriot Dervishi
Vilson Blloshmi u arrestua dhe u dërgua në Tiranë. Ndaj tij u zhvillua një hetuesi e egër me tortura të rënda, por nuk mundën ta thyenin. Krahu i majtë gati iu paralizua. Ai i mundi për herë të dytë. Herën e parë i mundi në dështimin kurtheve agjenturialo-operative dhe herën e dytë në dështimin e procesit hetimor-gjyqësor. Duke qenë i dështuar në të dy rastet, por edhe në kërkesën e hershme për ta rekrutuar, regjimi zgjodhi rrugën e pabesën të vrasjes. Gjithë hetuesia e Vilson Blloshmit është shembull i gjallë qëndrese. Ajo lidhet së pari me mospranimin e dëshmive të sajuara si dhe me mospranimin e neve të akuzës, të atyre që do përbënin më vonë aktakuzën. I vetëdijshëm për brutalitetin e regjimit, ai ka pranuar të jetë deri në fund i pastër, qoftë edhe me sakrificën e jetës. Sipas një dëshmie të përcjellë në librin e Bedri Blloshmit “Rrëfime nga ferri komunist”, Tiranë 2011, faqe 478, para se të shkojë në ekzekutim Vilsoni ka thënë ndër të tjera: Kur të dalësh nga burgu, të shkosh në familjen time e t’u thuash se nuk i kam turpëruar. Akuzën nuk e pranova se nuk kam bërë asgjë”.