Nga Kastriot Dervishi
Se si do zhvillohej procesi hetimor-gjyqësor ndaj Vilson Blloshmit, Genc Lekës, Bedri Blloshmit, etj, e vendosi Komiteti i Partisë së Rrethit Librazhd në mbledhjen e Sekretariatit të tij më 28.4.1977. Komiteti vendor i PPSH-së, ka dhënë verdiktin e tij në të gjitha ato që do të ngriheshin në pretencën e prokurorisë dhe vendin e gjykatës. Sotir Koçollari ishte sekretar i parë i Komitetit të PPSH-së në Librazhd në vitet 1975-1977. Roli i tij ishte vendimtar në ekzekutimin e poetëve Vilson Blloshmi e Genca Leka. Sotiri vinte nga klasa punëtore. Sipas biografisë që hartonte për të në vitet 1970 dhe 1974 Komiteti Qendror i PPSH-së, shënohej se ishte bërë anëtar i PPSH-së në vitin 1952 dhe po këtë vit, në moshë fare të re ishte rekrutuar bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Më 1951-1959 kishte qenë marangoz. Më 1959-1962 ndoqi shkollën e lartë të partisë, e më pas u emërua instruktor në komitetin e rinisë. Në vitet 1962-1968 punoi instruktor në Komitetin e PPSH-së Gjirokastër. Më 1968-1970 kryetar i Bashkimeve Profesionale të Rrethit dhe më 1970-1975 sekretar i Komitetit të PPSH-së Gjirokastër. Sotiri kishte probleme biografike, të cilat partia ia shënonte në shtojcë në një biografi në vitit 1974. Për këtë arsye, Sotiri ishte i prirë të jepte prova egërsie ndaj armiqve. Ata gjykojnë dhe janë ziliqarë edhe për zgjuarsinë e poetëve. Ish bashkëpunëtori i Sigurimit, i dha një drejtim vendimtar dosjes për të vulosur ekzekutime dhe burgime të gjata. Dhe partia ia shpërbleu, e ngriti më lart.
Pjesë nga procesverbali
Shokët e Gjykatës së Rrethit informuan gojarisht për procesin e “grupit armiqësor të Bërzeshtës”. Merrnin në mbledhje shokët: Sotir Koçollari-sekretar i parë, Alush Çekrezi-sekretar, Faik Hoxha-sekretar, Hekuran Rezhda, Merdar Hasa-sekretar i byrosë së Partisë Degës së Brendshme dhe kryetar i Degës, Hysen Faqolli - kryetar i Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit, Qani Lavdari - prokuror, Sybi Sulçe - gjyqtar, Nevrije Fistaj - kryetare e Gjykatës së Rrethit.
Shoku Sotir Koçollari: Na informoni mbi çështjen penale të sabotatorëve dhe përvetësuesve të Bërzeshtës.
Sybi Sulçe: Në këtë çështje bëjnë pjesë 8 persona, të cilët i janë dërguar gjykatës për gjykim.
I pandehuri Genci Leka, i biri i Bardho Lekës, në moshën 36 vjeçe, me arsim të mesëm pedagogjik, i akuzuar për krimin e sabotimit në bashkëpunim me atë të agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor, të parashikuar nga nenet 72 e 12 dhe 73/1 i Kodit Penal. Veprimtarinë armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor e ka filluar qysh në vitin 1968, ndërsa në formën e sabotimit në ekonomi për dobësimin e pushtetit popullor e ka filluar në qershor të vitit 1973, dhe ka vazhduar deri në momentin që u arrestua më 31.8.1976. Agjitacionin e propagandën e ka filluar në formën e bisedave të ndryshme që ka bërë kundër pushtetit popullor, në krijimet letrare, poezitë me përmbajtje armiqësore, ka mbajtur dhe mjaft libra në shtëpi, të ndaluar...
Shoku Alush Çekrezi: Si do të quhej grupi?
Sybi Sulçe: Nga të dhënat, del se nuk janë të organizuar, sepse disa prej tyre kanë bërë edhe propagandë.
Shoku Sotir Koçollari: Forma e tyre e organizuar del plotësisht, pasi secili prej tyre, në mënyrë të vetëdijshme kanë dashur të rrëzojnë pushtetin popullor dhe të sabotojnë ekonominë e kooperativës bujqësore.
Shoku Sybi Sulçe: Atëherë të 8 të pandehurit do të futen në një nen?
Merdar Hasa: Pse thua që Vilson Blloshmi nuk hyn në këtë grup. Ai hyn, dhe kjo vërtetohet nga thëniet e të tjerëve që ky ka përvetësuar.
Shoku Sotir Koçollari: Kush konsiderohet më kryesori?
Shoku Sybi Sulçe: Genc Leka. Nga të dhënat e dosjes del se Vilson Blloshmi është për agjitacion e propagandë, me sa ka dosja. Prova nuk kemi për përvetësim, nuk ja vërtetojmë dot.
Shoku Sotir Koçollari: Unë kam mendimin se këta janë grup i organizuar, bile edhe në bazë të një platforme në bindjen e tyre. Zbulimi i këtij grupi është meritë e punës së organeve të punëve të brendshme, rritja e vigjilencës së tyre etj. Ky grup ka vepruar në mënyrë të tillë deri tani për mungesë të vigjilencës së kuadrove në kooperativë, në organizatën bazë të Partisë. Këta e kanë bërë këtë për prishjen e pushtetit popullor. Imagjinoni se do të hidhej në erë Ura e Bushtricës ishte një dëshirë e të pandehurit Vilson Blloshmi dhe ky e dëshiron të ketë, dhe nuk e realizoi vetë, por kurdisi këtë plan imagjinar. Kreu i këtij grupi them se janë Genci Leka dhe Vilson Blloshmi, pjellë e armikut të klasës të cilët e kanë kurdisur të gjithë grupin. Këto jo vetëm i kanë mbajtur këto libra, por i kanë lexuar dhe frymëzuar prej tyre. Kanë pasur dhe shkrime të tyre për përmbysjen e pushtetit popullor dhe jo vepra e poezi. Vilsoni është më i zgjuar nga të tjerët dhe aktin nuk e pranon se e di që e pret pushkatimi. Ndërsa për Rexhep Sulën mund të bëhet shkallëzimi; këta pas një burgu, do të kthehen për ndërtimin e socializmit. Ky grup të konsiderohet si grup sabotatorësh. Në krye të grupit Genci e Vilsoni, sepse këta kanë nxitur këta të tjerët, i kanë frymëzuar. Argumente për këtë ka dhe përmbajtja e problemit është e qartë se ky është nxitës, si dhe i sjell dëm diktaturës së proletariatit. Për shkallën e dënimit ju gjykojeni vetë dhe mos u nisni se aprovohet apo jo lart, por nga krimi që kanë kryer secili. Jam dakord që gjyqi të bëhet këtu, të përgatitet mirë, të ngrihet me forcë lufta e klasave, të jetë një pretencë e fortë politike ideologjike dhe e përgatitur mirë. Gjykatat të ruajnë plotësisht ngjyrën e katit e qëllimit që kishin për minimin e pushtetit popullor. Megjithëse do e zhvillojmë këtu, masat e sigurimit nuk duhen nënvleftësuar. Problemi i implikimit të mos dalë kaq apo aq veta. Edhe ata që do demaskohen, duhet kujdes të ngrihen të bëjnë autokritikë dhe të pranojnë gabimin. Në gjyq të vijnë njerëz që i shërbejnë gjyqit dhe jo kush të mundë.