Përgjatë viteve 1982-1990, në Repartin nr.311 Qafë Bari vdiqën 9 të dënuar. I dhjeti u plagos rëndë, por vdiq në spitalin e burgut dhe u varros në Tiranë. Eshtrat e 8 personat e varrosur në Qafë Bari janë tërhequr gjatë viteve nga familjarët e tyre. Personi i parë që vdiq në Qafë Bari ishte Fejzulla Beqir Çepi, lindur më 1941 në Xhyrë të Librazhdit. Ishte arrestuar e dënuar fillimisht në vitin 1978 me 25 vjet burgim. U arrestua më 10.4.1981 kur vuante dënimin në Repartin nr.301 Bulqizë. U akuzua në bazë të neneve 55/1 dhe 47/gj të Kodit Penal.
Gjykata Popullore e Rrethit Dibër, me vendimin nr.81, datë 23.7.1981, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 11 vjet heqje lirie. Në bashkim të dënimeve, e dënoi me 25 vjet heqje lirie. U dërgua për të vuajtur dënimin në Qafë Bari. Por aty, do të bëhej i pari që do vdiste të minierë. Njoftimi për vdekjen e tij ishte ky:
“Më 7.10.1983, ora 1.30, i dënuari Fejzulla Beqir Çepi, vjeç 42, nga Librazhdi, i cili vuan dënimin në repartin nr.311 Qafë Bari, u gjet i vdekur në një galeri. Grupi operativ konkludoi se ka rënë në një galeri vertikale në një front të ndaluar, nga ku mendohet se ka kërkuar për të dalë”.
Eshtrat e personit të parë janë zhvarrosur vite më parë nga familjarë të tjerë, por pasi nuk kanë lexuar emrin e të afërmit të tyre, i kanë lënë aty.