Nga Kastriot Dervishi
Në vendin më stalinist të Europës, aty ku jeta e njeriut nuk kishte asnjë vlerë, qëndronin prej vitesh përmendoret dhe bustet e një prej kriminelëve më të mëdhenj të njerëzimit, diktatorit sovjetik, Josif Visarionovit Stalinit. Ndërsa Europa Lindore kish përjetuar një frymëmarrje pas vdekjes së tij në vitin 1953, në Shqipëri ndodhi e kundërta. Udhëheqja komuniste që krenohej se ishte staliniste, forcoi diktaturën dhe uli nivelin e jetesës së popullsisë në atë të vendeve afrikane.
Përmendorja kryesore e Stalinit në Tiranë ishte vendosur sipas vendimit të Kuvendi Popullor në mbledhjen e datës 11.1.1951. Ceremonia e përurimit u zhvillua më 5.11.1951 në sheshin “Skënderbej”. Në vitin 1968, me rastin e përkujtimeve 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, përmendorja e Stalinit u zhvendos në shëtitoren “Dëshmorët e kombit”, përballë Galerisë së Arteve Figurative, në të cilën qëndronte përmendorja e Leninit, duke krijuar kështu një çift sovjetik. Në Tiranë kishin edhe një përmendore tjetër të Stalinit në sheshin e Kombinatit të Tekstilit “Stalin”. Në fillim të vitit 1990, në Shkodër një përpjekje demonstruese synoi pa sukses rrëzimin e bustit të Stalinit. Por megjithëkëtë, në Shqipëri nuk mungonin djemtë kurajozë. I tillë ishte Bujar Nallbani, i cili veproi i vetëm me nipin e tij Gazmend Llanaj, në një aksion që pati jehonë të madhe në gjithë vendin. Deri këtë kohë regjimi nuk ishte mësuar me ngjarje të tilla. Në orën 20.30 të datës 28.3.1990, Bujari së bashku me nipin e tij, e vendosën çantën sportive me dinamit pas përmendores së Stalinit. E ndezi fitilin dhe u largua me të shpejtë. Kur ishte afër godinës së Lidhjes së Shkrimtarëve në rrugën e Kavajës dëgjoi shpërthimin. Përmendorja nuk u rrëzua, por nga dinamiti u hap një gropë pas saj. Jehona ishte e madhe. Bujari veproi i vetëm dhe nuk kishte asnjë mundësi të zbulohej zbulimi. Si në rastin e dinamitit në legatën sovjetike të vitit 1951, organet e Sigurimit të Shtetit vepruan me të njëjtën metodologji (me paaftësi zbulimi), ndaluan kot 247 persona nga radhët “e elementëve në përpunim e të evidencuar si kontingjent armik me rrezikshmëri” (asnjëri nuk kishte lidhje me ngjarjen), si dhe kryen 453 takime me agjenturën. Në dallim nga rasti i vitit 1951, kjo herë nuk pati ekzekutime. Dyshimet ishin në drejtime të tjera krejt pa lidhje me ngjarjen dhe autorit. Madje në raportin e datës 2.4.1990, thuhet: “Në kuadrin e kërkimit të autorëve diversionistë, u vlerësua në kohë shpërthimi dhe rrëmbimi i armëve në depon e armëve të Kinostudios. Për këtë veprimtari armiqësore të ndodhur në orët e vona të natës së datës 29.3.1990 u arrit të zbulohen autorët dhe dy prej tyre janë në gjendje ndalimi, ndërsa për të tretin vazhdojnë kërkimet pasi është larguar në drejtim të paditur”. Ngjarja tregoi se po të kishin më shumë forma të tilla veprimesh, asnjëherë nuk do kapeshin autorët.
Përmendoret e Stalinit u hoqën, sipas një skenari stalinist në orën 24.00 të 21 dhjetorit 1990