Janë rritur tensionet mes Serbisë dhe Kosovës pas arrestimit të një politikani serb Marko Gjuriç dhe dëbimit të tij për në Serbi. Në këtë konflikt ka ndërhyrë aleati i Serbisë, Rusia ku nëpërmjet një deklarate nga ministria e jashtme ka akuzuar BE-në dhe ShBA-në se dëshirojnë ‘’ të shtypin ashpër ‘’ përpjekjet e serbëve të Kosovës’’për të ‘’ ruajtur interest e tyre legjitime’’.
‘’Është krejtësisht e qartë se kosovarët ( shqiptarët e Kosovës) gjithmonë ndjekin këshillat e padronëve të tyre amerikanë e evropianë, të cilët shkelin ligjin ndërkombëtar dhe veprojnë në bazë të arbitraritetit ‘’ ka thënë MPJ ruse në një deklaratë të përcjellë nga agjencia ruse e lajmeve ‘’ Tass’’.
Ndërkohë shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian Federica Mogherini ka bërë një vizitë urgjente në Beograd për të vizituar presidentin e Serbisë, për të parandaluar një krizë më të thellë.
Zyra e Presidentit Aleksandër Vuçiç në një deklaratë për media tha se Mogherini është pajtuar për të gjetur ‘mënyra të reja’ për të zgjidhur problemet midis dy vendeve.
Mogherini nuk e komentoi ngjarjen por sipas deklaratës ajo është shprehur se një ngjarje e tillë nuk duhet të përsëritet më.
‘’Bashkimi Evropian pret që paqja të ruhet me qetësi e përmbajtje’’- është shprehur ajo sipas deklaratës.