Tani e tutje duhet të mendohesh mirë përpara se të publikosh dicka në rrjetet sociale, gjithmonë vetëm nëse je një aplikues për vizën amerikane. Cfarë shkruan, komenton apo publikon në rrjete sociale mund të jetë vendimtare për një aplikues që dëshiron të pajiset me vizë amerikane.
Administrata Trump ka bërë të ditur se do të vërë në zbatim një teknike të re që ka të bëjë me grumbullimin e informacionit marrë nga rrjetet sociale për personat të cilët dëshirojnë të aplikojnë për vizë turistike, emigrimi apo punë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Propozimi që vjen nga Departamenti i Shtetit Amerikan do t’u kërkonte aplikantëve për vizë që të japin detaje mbi llogaritë e tyre në “Facebook” dhe “Twitter”.
Ata do të duhet që të japin informacion mbi të gjithë identitetet e tyre në rrjete sociale përgjatë pesë viteve të fundit. Aplikantëve do t’u kërkohet gjithashtu të japin informacion për numrat e telefonit që kanë përdorur gjatë pesë viteve të fundit, adresat elektronike dhe udhëtimet jashtë vendit.
Kërkesa ka të bëjë me dhënien e informacionit nëse janë dëbuar ndonjëherë nga një vend tjetër ose nëse ndonjë i afërm ishte përfshirë në veprimtari terroriste.
Propozimi nuk do të prekë qytetarët të atyre shteteve që gëzojnë të drejtën për të udhëtuar pa viza drejt SHBA-së siç janë vendet anëtare të BE-së, Britania e Madhe, Kanadaja etj.