Një organizatë për të drejtat e njeriut njoftoi se ka identifikuar qindra vendndodhje të cilat qeveria e Koresë së Veriut i përdor për të kryer ekzekutime publike.
Grupi Tranzitor i Punës për Drejtësinë, me qendër në Seul, tha sot se ka zbuluar vendndodhjet bazuar në intervistat me 610 koreano-veriorë të arratisur, si dhe pamjet satelitore.
Grupi tha se disa prej vendndodhjeve më të shfrytëzuara për këtë qëllim janë lumenjtë, fushat, kodrat, madje edhe tregjet dhe oborret e shkollave.
Grupi i të drejtave të njeriut përfshiu njoftimet për ekzekutime të njëkohësishme të mbi 10 personave, dhe tha se ishin pothuajse të gjitha nëpërmjet ekzekutimit me armë nga togat e pushkatimit.
Grupi thotë se turmat, shpesh të përbëra nga qindra njerëz, mblidheshin për të ndjekur këto ekzekutime, qëllimi kryesor i të cilave është ngjallja e frikës tek publiku.
Gjithashtu, sipas raportit, familjarët e personave që ekzekutoheshin, përfshirë edhe fëmijët e tyre, ishin të detyruar të shihnin ekzekutimin. Trupat e të ekzekutuarve dhe vendi se ku ata varroseshin, rrallë i tregohej familjarëve.
Ish-pjesëtarë të elitës së Koresë së Veriut kanë qenë ndër të ekzekutuarit nga qeveria, përfshirë Jang Song Thaek, xhaxhanë e Kim Jong Un-it, i cili u ekzekutua në vitin 2013 për tradhti.