Zeri i Amerikes: Këtë javë, votimi historik mbi akuzat për shkarkimin e Presidentit

Hënë, 16 December 2019 18:47

Dhoma e Përfaqësuesve pritet të votojë këtë javë për miratimin e dy akuzave për shkarkimin e mundshëm të Presidentit Donald Trump, të rekomanduara nga Komisioni Juridik. Ka gjasa që Donald Trumpi të bëhet presidenti i tretë në historinë amerikane ndaj të cilit Kongresi ngre zyrtarisht akuza për shkarkim. Demokratët e kanë akuzuar atë për shpërdorim pushteti, duke i kërkuar Ukrainës të hetojë një nga rivalët e tij kryesorë demokratë për zgjedhjet e vitit 2020. Zoti Trump dhe përkrahësit e tij, këmbëngulin se ai nuk ka bërë asgjë të gabuar.

Dhoma e Përfaqësuesve pritet që të mbajë një votim historik këtë javë, duke ngritur zyrtarisht akuzat që mund të çojnë në shkarkimin e një presidentit. Është vetëm hera e tretë e në historinë amerikane që ndodh një gjë e tillë..

“Votojmë tani për akuzën e parë në rezolutën për shkarkimin e Presidentit Donald J. Trump për abuzim të pushtetit”, tha kryetari demokrat i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, Jerry Nadler në seancën e këtij komisioni.

Komisioni Juridik miratoi dy akuza: pengim i Kongresit dhe abuzim i pushtetit në dy votime që ndoqën vijën partiake, pas seancave të ashpra në ditët e mëparshme.

“Do të vijë një ditë që shumica do të kthehet në pakicë. Dhe do të ngrenë zërin për të drejtat e pakicave. Dhe unë do t’u kujtoj 2019-ën si vitin kur ata goditën të drejtat e pakicës”, tha nënkryetari republikan i komisionit, Doug Collins.

“Akuza të mjegullta për abuzim me pushtetin, pengim të Kongresit…Këto i ka bërë vetë shumica duke mos na lejuar të sjellim dëshmitarë që mund të hedhin dritë mbi akuzat”, tha kongresmeni republikan, Louie Gohmert.

“Jepini lamtumirën shumicës. Dhe ju ftojmë të merrni pjesë në inaugurimin e dytë të Presidentit Trump, në janar 2021”, tha Ken Buck, anëtar republikan i Kongresit.

Të dielën në mëngjes, në prag të votimeve në seancat e Dhomës së Përfaqësuesve, kryetari Jerry Nadler e mbrojti votimin e Komisionit Juridik.

“Ky president bëri konspiracion, kërkoi ndërhyrje të huaj në zgjedhjet e vitit2016. Ai po bën thirrje hapur për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020, dhe paraqet një kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë tonë kombëtare … A kemi një demokraci kushtetuese apo kemi monarki ku presidenti nuk i jep llogari askujt?”

Nëse anëtarët e Kongresit, votojnë siç është e pritshme pro ngritjes së akuzave, dhe ia kalojnë çështjen senatit të kontrolluar nga republikanët, anëtarë si Ted Cruz do të shërbejnë si anëtarë jurie të një procesi gjyqësor.

“I pamë akuzat për shkarkim të Dhomës së Përfaqësuesve dhe gjithë argumentat e tyre, ranë poshtë. Mendoj se ky është fillimi i fundit për këtë spektakël që po shohim në Dhomën e Përfaqësuesve. Do të kemi një proces të drejtë që nuk do të çojë asgjëkundi, sepse nuk ka fakte”, tha senatori republikan, Ted Cruz.

Dy senator me peshë thanë hapur javën e kaluar, pa i dëgjuar ende argumentat për shkarkim, se do të votojnë kundër, duke ngjallur dyshime nëse procesi i gjykimit do të jetë i drejtë.

Login to post comments