Kryetarja e Madridit “lë nam”, diplomë false dhe vjedhje nëpër supermarkete

E mërkurë, 25 Prill 2018 15:21

Cristina Cifuentes, kryetarja e rajonit të Madridit në Spanjë, ka dhënë dorëheqjen, pasi është përfshirë në dy skandale.

Përveç lajmit për falsifikimin e diplomës së saj, është publikuar edhe një video ku ajo shfaqej duke i dorëzuar rojës së sigurisë në një supermarket produkte të vjedhura.

Ajo e  dënoi si një sulm personal publikimin e  kësaj videoje. Pretendohet se në atë vjedhje, ajo kishte marrë pa paguar dy kuti kremi antiplakje që kushtonin 40 euro.

53-vjeçarja Cifuentes dorëzoi diplomën e masterit javën e kaluar, ku u zbulua se dy firmat e hedhura në dokument ishin falsifikuar.

Ajo tha gjatë një konference për shtyp të së mërkurës se, kishte planifikuar të dorëhiqej javën e ardhshme, por kishte vendosur ta bënte më herët në kundërpërgjigje të akuzave më të fundit të ngritura ndaj saj.

Dorëheqja e saj është një goditje e rëndë për kryeministrin Mariano Rajoy, partia e të cilit është ndeshur me një seri skandalesh korrupsioni. Duke u dorëhequr, ajo shmangu një mocion mosbesimi, që sipas saj,  do ta shtinte Madridin nën kontrollin e të majtëve socialistë dhe partisë “Podemos”.

Login to post comments