REDAKSIONALE
Pak më shumë së një muaj më parë mazhoranca socialiste miratoi një dispozitë skandaloze nën petkun e një shumicë të dhimbsur që kish gjetur zgjidhjen e halleve të shtresës me probleme të mëdha sociale. Në ligjin e ri të strehimit social sot gjen një dispozitë të denjë për një ligj të dikaturës së proletariatit.
Neni 20 i ligjit për strehimin social të rilindur parashikon detyrimin e investitorit privat që një sipërfaqe të caktuar të pronës së tij t'ia kalojë në favor bashkisë për fondin special të banesave. Kur projekt-ligji u depozitua në kuvend kjo sipërfaqe parashikohej të ish 2% e sipërfaqes së shfrytëzueshme për ndërtimin mbi 2.000 m2.
Në komisione u diskutua gjatë antikushtetutshmëria e dispozitës. Deputetet e opozitës deklaruan së do të depozitonin amendamente për projektligjin në frymën e debateve në komisione. Por me gjithë debatet dhe deklaratat, as PD dhe as LSI nuk depozituan asnjëherë amendamentet në lidhje me projektligjin. Në këto kushte edhe shifra 2% u rrit në 3%.
Nëse e vendos dhe analizon dispozitën brenda piramidës së akteve të një sistemi si ai i parashikuar nga kushtetuta e këtij vendi, dispozita është thellësisht antikushtetuese.
Neni 11 dhe 41 i Kushtetutës trajtojnë në mënyrë të posaçme të drejtën e pronës dhe lirinë e veprimtarisë ekonomike. Është e vërtetë që kushtetuta ka parashikuar kufizim të lirise së veprimtarise ekonomike dhe të së drejtës së pronës private, por kjo çështje referohet në legjislacion në korpusin e akteve që trajtojnë shpronësimin për interes publik dhe nuk ka asnjë parashikim tjetër as konservator e as liberal që të justifikojë detyrimin për marrjen e pronës për qëllime qofte edhe publike.
Liria e veprimtarisë ekonomike është baza e sistemit në të cilin jetojnë hartuesit dhe mazhoranca që miratoi këtë dispozitë. Liria e veprimtarisë ekonomike përfshin lirinë e të bërit biznes me pronën apo edhe të drejtën e pronës si liri e individëve për të poseduar dhe disponuar sende të lira nga ndërhyrja e shtetit, përfshirë lirinë e investimit (etj).
Në rastin tonë: E drejta e pronës është e drejtë kushtetuese; E drejta e pronarit të truallit dhe pasurisë për të zhvilluar pronën e tij nëpërmjet kontratave të investimit, është e drejtë kushtetuese; e drejta për t'u pajisur me leje ndërtimi nga shteti, është e drejtë kushtetuese e cila kufizohet vetëm nga plotësimi i kushteve ligjore dhe urbanistike që kanë lidhje me ndërtimin dhe jo me çështje të tjera që lidhen me hallet dhe përgjegjësitë e shtetit. Përgjegjësia e shtetit për sigurimin e sipërfaqeve për banesa sociale, nuk mund të shkarkohet tek shtetasit me forma të tilla që janë as më pak e as me shume sesa "konfiskim" i pronës.
Është e vërtetë së koncepti kushtetues i interesit publik është shumë i gjerë, por ai në çdo rast nuk mund të përkthehet si e drejtë e shtetit për të konfiskuar me ligj pasurinë private.
Nga ana tjetër i gjithë mekanizmi i përdorur nga ligji për strehimin social për grabitjen me ligj të pronës private, është abuziv. Po kufizimi i limitit 2000 m2 si u vendos? Apo nëse je pronar sot i deri 2000 m2, d.m.th. sa pallati i Linda Ramës, je marksist apo populli i thjeshtë! Nëse sipërfaqja tejkalon 2000m2 shpallesh me ligj kulak dhe shteti të konfiskon pjesë të pronës! Nuk ka asnjë logjikë tjetër që mund të justifikoje të drejtën që i ka dhënë vetes pushteti i rilindjes për konfiskimin e një pjese të pasurisë.
Komisioni i ligjeve e gjeti të papranueshme dispozitën dhe në vend të formulave të shpronësimit për interesa publike, miratoi ndryshimin e formulimit duke parashikuar bonuse për investitorin në rastet kur i merrej sipërfaqe. Komisioni i ligjeve ndoqi logjikën kushtetuese dhe në vend të mekanizmit të shpronësimit, i ofronte investitorit lehtësi fiskale për sipërfaqen që i jepej shtetit. për komisionin e ligjeve konfiskimi ish antikushtetues. Komisioni i shëndetësisë dhe punës në një seance vlefshmëria e të cilës lë shumë për të diskutuar, i drejtuar nga Elisa Spirolali e rrezoi propozimin e komisionit të ligjeve dhe e rriti detyrimin nga 2% në 3%.
Me sa duket historia po përsëritet. Si pas vitit '45, kur shteti hyri në shtëpitë e njerëzve dhe pasi llogariti sa sipërfaqe u duhej për të jetuar, u sistemoi brenda shtëpive familje të tjera. Me ligjin e pushtetit populIor dhe të diktaturës së proletariatit!!!
është e vërtetë që ka vende ku legjislacioni parashikon dispozita të karakterit social. Por zgjidhjet janë të tjera. Ndërtuesit duhet të vere në dispozicion sipërfaqe dhe Pushteti lokal i merr me qira ambientet për familje në skeme sociale .... Kështu është në France! Por francezet e dine dhe i falen sistemit në të cilin jetojnë. në France prona nuk konfiskohet me ligjin partizan. Rama deklaroi së e beri me mire së në France! Dhe e tha si pa gjë të keq! Francezet qenkan popull i trashë!
Organizatat e ndërtuesve vrapuan të bënin një tryeze drejtkëndëshe dhe lanë gojën duke u qarë me argumentin së kjo: "është takse e fshehte dhe taksat në kushtetute parashikohen që vendosen vetëm nga ligjet e taksave." Dhe kjo është shume e drejte. Por ky mekanizëm nuk meriton të quhet takse e fshehte.
Qe të quhet e fshehte duhet të paktën të ketë karakteristikat e një takse (si fillim). Kjo dispozite nuk i plotëson kushtet për t’u konsideruar takse. Taksa i vendoset shtetasve që të sigurohet ofrimi i një shërbimi nga shteti për ta. Taksa është detyrim që vendoset për të gjithë dhe përfitues është i gjithë publiku.
Pra nga shërbimet që ofrohen nga shteti e për qëllimin e të cilave është vendosur taksa, përfitojnë të gjithë dhe jo kategori të caktuara. Me tej, Rama nuk u fsheh dhe nuk e fshehu fare grabitjen me ligj.
E vetmja gjë që fshehu është ajo që ka pese vjet që e fsheh, paaftësinë deri në idiotizëm për të kuptuar dhe drejtuar një shtet që nuk quhet i diktaturës së proletariatit. Paaftësinë për të kuptuar minimalisht që ka një strukture që quhet Enti Kombëtar i Banesave që duhet të zhvilloje veprimtari edhe ndërtimi që të siguroje financimin e ndërtimeve sociale. Pagat e punonjësve dhe e lopëve komuniste që drejtojnë Entin Kombëtar të Banesave paguhen nga taksat. Enti Kombëtar nuk është aty si instrumenti i konfiskimit me ligj të sipërfaqeve ndërtimore. është institucion që duhet të ofroje dhe vere në pune skema investimi. Të gjithë shqiptaret i kane paguar një here taksat që dikush në emër të tyre të zgjidhe edhe problemet e shtresave në nevoje. Dhe në rastin konkret kane paguar Entin Kombëtar të Banesave.
Ndaj i vetmi term që i shkon për shtat parashikimit të nenin 20 është ai i "tatimit të jashtëzakonshëm"! Si në '45-en! Dhe kjo kategori tatimesh nuk parashikohet në Kushtetutën e sotme! Rama dhe lopët e tij komuniste me sa duket kane lexuar një kushtetute tjetër!
Sot në kushtet kur vendi është lënë pa Gjykate Kushtetuese, nëse dikush e ka seriozisht luftën për mbrojtjen e sistemit që të gjitha palët politike kërkojnë të drejtojnë, nisma mund të kundërshtohet drejtpërdrejtë në gjykatën e Strasburgut si nisme që prek lirinë mbi pronën dhe të përcillet dhe denoncohet në Komisionin e Venecias dhe kudo si hap i qarte drejt shkeljes me ligj të te drejtave dhe lirive themelore të shtetasve.
Këtë nuk e presim ta bëjnë organizatat e ndërtuesve. Ata e lanë gojën! Praktikisht deklaruan që si takse, do ua shkarkojnë shqiptareve . Dhe mos kujtoni së do ta hane ndërtuesit e kullave rrotull kalit të Skënderbeut. Për ta ligji do shkruhet ndryshe. Edhe ai, në EMER të POPULLIT! /55news.al