Nga Fahri Balliu
Në një prononcim të ambasadores të Francës dhe të Austrisë nga Korça ditën e sotme dëgjon të shprehen për vettingun dhe Reformën në Drejtësi. Prononcimet e tyre aspak të sakta, me një formim të nivelit amator, bëjnë përkufizime të përgjithshme që maskojnë të vërtetat faktike që po rezultojnë nga vettingu mbi gjyqtarët dhe prokurorët. Vetvetiu të lind pyetja. Po këta çfarë qëllimi kanë? Të thonë të vërtetën apo të kundërtën? Kur i dëgjon se ç’thonë kupton ndjenjën e fajësisë dhe përgjegjësisë së tyre për këtë reformë. Ata i besuan një kryeministri që ka probleme, ai dhe stafi, me krimin, me drogën, me korrupsionin.
Tani Reforma ka hyrë në një rrugë pa krye.
Drejtësia në vend të vinte vetulla, ka nxjerrë sy.
Katër-pesë ambasadorë të huaj në Tiranë, kanë dalë prej kohësh jashtë funksionit të tyre diplomatik. Ata kanë shkelur germën “a” të funksionit që kanë. Janë të akredituar nga presidentët e vendeve të tyre dhe i paraqesin letrat kredenciale te Presidenti i vendit.
Pranimi i këtyre letra-kredencialeve është ora dhe dita që ata fillojnë të kryejnë funksionin. Por, në Tiranë, katër-pesë ambasadorë të vendeve kryesore janë bërë gjyqtarë kushtetues, janë bërë prokurorë, janë bërë anëtarë të Gjykatës së Lartë, janë bërë gjithçka, përveçse diplomatë që të promovojnë vendin e tyre, etj, etj.
Praktika e sjelljes së këtyre ambasadorëve të kujton sjelljen e ambasadorit sovjetik, Çuvahin, i cili jepte direktivat edhe partisë, edhe qeverisë, edhe Kuvendit edhe Presidencës. Por për hir të së vërtetës duhet thënë se në sistemin komunist, në kampin socialist dhe në ideologjinë Marksiste, kjo ishte brenda krimit të përgjithshëm publik. Por në një vend të lirë dhe sovran, ambasadorët që gjezdisin nga Tirana nëpër rrethe, në Korçë-s, Sarandë apo Shkodër, pas drekave dhe darkave mikpritëse të shqiptarëve të përrallisin me verdikte, opinione, duke vënë nota kaluese, jo kaluese për çdo gjë që ndodh në Shqipëri.
Ata mund të gjykojnë dhe të nxisin arrestime apo tejkalime të ligjit, apo falje. Një ambasador i rëndësishëm fali Saimir Tahirin kur po i vinte dita e arrestimit. E çoi edhe në Shtëpinë e Bardhë dhe pastaj na doli se Saimir ishte trafikant, por kryeministri dhe krimi i organizuar morën kurajën që ta shpëtojnë Saimir Tahirin.
Ambasadori italian, si rrufeja në qiell të kthjellët dha opinione për një patate të nxehtë të debatit politik në Shqipëri. Problemi është se këta ambasadorë, ku kampione është ajo e BE-së, e kanë inkurajuar krimin, drogën dhe korrupsionin. Pra kanë bërë dy shkelje, një që kanë dalë jashtë juridiksionit të tyre diplomatik dhe tjetra që pjesa më e madhe të deklaratave të tyre është në mbrojtje të krimit korrupsionit, sepse ata kanë mashtruar qendrat e tyre për të vërtetat e qeverisë shqiptare. Ata i referojnë ngjarjet si anëtarë të Kabinetit të Qeverisë dhe pastaj, mbarojnë shërbimin dhe shkojnë.
Për të mos folur këtu që ndonjëri prej tyre nuk e ka të kufizuar implikimin e vet me dashuri romantike për qeverinë. Ambasadorja Vlahutin, ka bërë njëherësh dy krime të mirëfillta të shërbëtorit publik, atë të mbështetjes pa rezerva të një qeverie me konotacion të thellë trafiqesh droge dhe korrupsioni dhe tjetrën, që e ka sulmuar opozitën dhe i ka paralizuar të gjithë agregatët e saj.
E vërteta është që qëndrimet e tyre janë një nevojë e domosdoshme e Ramës që nuk po qëndron dot dhe i duhen këto furka.
Koha e furkave duhet të marrë fund dhe do të marrë fund.