Një komb sipërmarrësish

E Enjte, 30 August 2018 08:31

Nga Akil Kraja

Në disa shkrime paralele, shumë analistë e simpatizantë të të djathtës kanë ngritur këto ditë pikëpyetje mbi axhendën e ardhshme demokrate. Cila mund të jetë ajo, cilët objektivë dhe cilat etapa duhet të ndjekë ajo? Të gjithë janë në kërkim të ndryshimit të madh. Të gjithë i kanë sytë nga lëvizja demokrate e ardhshme. Por dhe me kaq kureshtje, ata presin se cila do të jetë oferta jonë e ardhshme...

Një “Komb sipërmarrësish” - kjo do të ishte një ëndërr, një ambicie, një alternativë politike për të cilën do të ja vlente të luftoje jo vetëm në shtator, por gjatë çdo dite në të bërit politikë.

Ajo çka kërkojnë Shqiptarët sot më së shumti, nuk përkufizohet vetëm në ndryshimin e pushtetit, por në ndryshimin e vendit tonë. Ata nuk kërkojnë vetëm çrrënjosjen e këtij regjimi kriminal, por mbjelljen e një kulture të re kombëtare. Politika, për çdo popull sovran, nuk është një armë për të arritur qëllime personale, por një fushë-betejë për të arritur ambicie kolektive.

Ndërkohë, sot politika shqiptare ofron shumë qëllime personale, dhe shumë pak ambicie kolektive.

Politika, në sytë e shqiptarëve, duket sikur përmblidhet vetëm në një garë për pushtet. Një garë nga e cila nuk përfiton kombi, sovrani, qytetari votues, por vetëm një grusht individësh e klientësh të një qeverisjeje jo-demokratike.

A mund të quhet demokratik një pushtet që rrit papunësinë, rrit varfërinë, rrit numrin e azilantëve, rrit nivelin e vdekshmërisë foshnjore, rrit numrin e trafikantëve në gjendje të lirë, që fal detin dhe tokën e kombit? Një pushtet i tillë është gjithçka veç jo-demokratik. Sot Shqipëria është një autokraci parlamentare por kurrsesi një demokraci perëndimore.

Shqiptarët nuk besojnë më tek Republika e vjetër.

Nga ku nevoja për një artikulim që përcjell një vizion për të ardhmen e vendit tonë. Nevoja për një udhë-rrëfyes, një ofertë, një projekt për të cilën ja vlen të besosh, për të cilin ja vlen të dalësh nga shtëpia, ja vlen të dalësh të protestosh duke rrezikuar vendin e punës, duke rrezikuar provimet në shkollë, duke rrezikuar gjobën e radhës...

Mbase, kjo shkëndijë do të ishte angazhimi për “një Komb sipërmarrësish”.

Një projekt për ndryshimin e madh, një sipërmarrje kombëtare që hedh rrënjët për zhvillimin e shekullit të ri shqiptar.

Një komb sipërmarrësish.

Një ëndërr, një shpresë, se një ditë Shqipëria do të jetë një komb që drejtohet nga sipërmarrja ekonomike, nga sipërmarrja artistike, kulturore, mjedisore, por dhe nga sipërmarrja politike...

Një komb modern i cili nuk do të humbë trenin e revolucionit teknologjik ashtu siç humbi revolucionin e tregjeve financiare, apo atë industrial shekuj më parë...

Një komb perëndimor i cili nuk do të “harrojë” rrënjët e tij autoktone, identitetin evropian apo projeksionin e tij natyror për një Shqipëri të fortë e të bashkuar.

Për çfarë e kam fjalën?

1) Sipërmarrja nënkupton së pari një konkurrencë të lirë e të ndershme. Kjo pasi çdo sipërmarrje gjen themel tek “meritokracia”. Jo vetëm në sensin ekonomik, por dhe në atë social, të të përditshmes. I afti shpërblehet për punën e tij, produkti i mirë gjen gjithmonë blerësin e tij, karrierë bën ai që vlen më shumë si në shtet apo në privat. Konkurrenca e lirë nënkupton një shoqëri pa hile, truke e shtrembërime të tregut, pa monopole shtetërore e kontrata korruptive, pa manipulim të datave të skandencës e të CV-ve, pa abuzime në treg dhe në punësime. Një shoqëri që drejtohet nga konkurrenca është një shoqëri që lartësohet, që sfidon vetveten, që përmirësohet në mënyrë konstante dhe ku puna shpërblehet në mënyrë transparente. E kundërta është tragjikisht po kaq e vërtetë. Një shoqëri jo-e-lirë dhe jo-e-ndershme braktiset jo vetëm nga investitorët e huaj apo kapitali vendas, por dhe nga banorët e saj, nga të rinjtë, nga çdo talent që ushqehet me meritokraci...

2) Sipërmarrja nënkupton gjithashtu inovacionin ose kapacitetin për të sjellë risi, përmirësime e avantazhe krahasuese në çdo produkt ekzistues. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për përhapjen e teknologjive të reja apo për një shoqëri "on-line”. Shëmbull, shërbimet turistike : një shoqëri sipërmarrëse do të inovonte në të gjithë zinxhirin e shërbimeve duke përfshirë riciklimin, prodhimet ekologjike, energjitë e rinovueshme, etno-produktet... Një shoqëri e tillë do të kishte mekanikë dhe inxhinierë shqiptarë që do të zotëronin praktika përpunimi nga më modernet e që do ta nxirrnin “Made in Albania” nga ekonomia shpellare e eksportit të krahut të lirë apo të eksportit të mineraleve e naftës bruto. Një komb që inovon përfaqëson një shoqëri kompetitive, atraktive, dinamike, që sheh drejt së ardhmes dhe rrit cilësinë e jetesës për çdo banor të saj. Shqiptarët emigrojnë pikërisht sepse ata kanë etje për më të mirën, etje për inovacion, si në kulturë, në ekonomi, në shërbimet shëndetësore, në arsim. Nuk është rastësi që Shqipëria vazhdon të jetë i vetmi vend në Europë, e mbase në botë, ku kryeqyteti nuk ka stacion treni por ekspozon një tren me avull të ballcamosur... Ne kemi ndalur së inovuari...

3) Por së fundmi, sipërmarrja e lirë nënkupton mbi të gjitha “Oportunitete”. Shqiptarët që emigrojnë nuk kërkojnë thjeshtë punë, por oportunitete! Mundësinë për të zhvilluar një projekt personal, për t’u pasuruar profesionalisht, materialisht por dhe shpirtërisht nga një ofertë e pasur profesionale, akademike, kulturore, sociale, apo dhe financiare... Sipërmarrja e lirë krijon oportunitete të pafundme pasi ajo bazohet mbi ambiciet individuale për të sfiduar vetveten, për të shpaguar energjitë e sakrificat, për të marrë më të mirën nga mjedisi e shoqëria që rrethon një individ. Sipërmarrja e lirë prodhon oportunitete ashtu si një artist prodhon frymëzim, një biznes vende të reja pune, një pedagog një qytetar të denjë, një fermer një pemë të begatë. Në pamundësi për t’i realizuar ato në vendlindje, shqiptarët largohen drejt Amerikës, Gjermanisë, Anglisë, me qindra mijëra.

Shqiptarët po largohen sepse Shqipëria është e marrë peng. Dhe në një vend të marrë peng nuk ka konkurrencë të lirë, nuk ka inovacion, nuk ka oportunitete.

Artistët shtypen me një PPP që mbështet kullat e shemb teatrot. Mjekët turpërohen duke e kaluar shëndetësinë nën një PPP menaxhuar nga një firme që shet cigare e alkol. Plehrat do të digjen nga një PPP-je që i ka duart me gjak. Pronarët e tokave po grabiten nga një derivat PPP-je sipas ligjit të investimeve strategjike. Fermerët duhet t’i çojnë prodhimet e tyre në pikat e grumbullimit të diktuara nga një tjetër derivat PPP-je....

Në Shqipëri nuk ka më sipërmarrje të lirë, as në kulturë, as në ekonomi, as në bujqësi, as në turizëm. Gjithçka kontrollohet nga një shtet i kapur, arkaik, kriminal, jo-demokratik. Shqiptarët janë kthyer në skllevër që luftojnë për mbijetesë.

E kush mund t’i vërë faj që largohen nga një vend që nuk lejon asnjë hapësirë për të marrë përsipër një hap, një nismë, një projekt, një ambicie, një sipërmarrje që shkon përtej mbijetesës bazike apo “mbushjes së stomakut me bukë” ?

Kemi lumenj e burime por nuk kemi ujë; kemi fusha pjellore por nuk kemi prodhim bujqësor; kemi minerale por nuk kemi fabrika; kemi det e male, por nuk kemi turistë; kemi spitale e shkolla por nuk kemi shëndet e dije...

Në kohën e ekonomisë korporative, të inteligjencës artificiale, të bursave e financës globale, të vetmet kombe që do të mbijetojnë janë ato që do të kenë kurajën të mbështesin tregun e lirë, të inovojnë e të prodhojnë oportunitete për qytetarët e tyre. Ndërkohë që në botë flitet për luftë "tregjesh", në Shqipëri flitet ende për luftë "bandash"...

Nëse nuk arrijmë të kthehemi në një komb sipërmarrësish, ne do të mbetemi një komb trafikantësh e banditësh, një komb i prapambetur ku i ndershmi quhet "budallë" dhe i korruptuari "i zgjuar". Akoma më rëndë, vendi ynë mund të kthehet ose në një kosh plehrash ose në një vend pritjeje për emigrantët e padëshiruar të Europës...

Kemi nevojë të ëndërrojmë për një komb që mbështet sipërmarrjen perëndimore e lufton tcarizmat e sulltanizmat e çfarëdolloj forme.

Kemi nevojë t’i ofrojmë të rinjve jo një vend pune për një votë, por një sipërmarrje për një votë.

Kemi nevojë që çdo shqiptar t’i shërbejë individualiteteve të gjithësecilit, dhe bashkërisht të sigurohemi që çdo shqiptar respektohet për atë që ai përfaqëson pavarësisht krahinës, mbiemrit apo partisë politike që ai përfaqëson.

Shqiptarët kërkojnë me padurim një pushtet që t’u shërbejë atyre dhe jo garës politikë të Republikës së vjetër. Shqiptarët po largohen masivisht, duke dezertuar kombin e tyre, sepse përballë nuk u ofrohet një e ardhme që u shërben atyre por një qeverisje që prodhon ndasi, përçarje, varfërim, vulgaritet, dhune e kërcënime. Kjo është oferta e “Rilindjes” gjatë pesë viteve të kaluara.

Një “Komb sipërmarrësish” - kjo do të ishte një ëndërr, një ambicie, një alternativë politike për të cilën do të ja vlente të luftoje jo vetëm në shtator, por çdo ditë në të bërit politikë.

Po guxoj, ëndërroj për një Komb Sipërmarrësish në një Republikë të Re...

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...