Nga Qemal SAKAJEVA
Prej fondit shqiptar të humorit, në mendjen e shikuesve ka mbetur edhe pjesa humoristike, ku aktori durrsak Fadil Hasa luan rolin e një punëtori abuzues me sheqerin, për 30 vjet në punishten pastave. Burri kishte marrë aq shumë ëmbëlsim, sa kur veshi ia kapte fjalën sheqer, menjëherë kalonte në gjendje epileptike. Sakaroza i qe shndërruar në helm për trurin.
Ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, gjatë një veprimtarie në jug të Serbisë, pasi shqiptoi fjalët “qeveria e Kosovës”, rastisi të bëhej “spektator i një skeçi” me efekt të ngjashëm. Fjala “qeveria e Kosovës” e helmoi trurin e ministrit të mbrojtjes Aleksandër Vulin, njëlloj siç e godiste trurin e punëtorit të punishtes së ëmbëlsirave teprica e sheqerit në gjak. Ministri i rëndësishëm u tjetërsua në një gjendje politike thuajse epileptike, po të gjykohet mbi çfarë tha. Pas tij, dhe njëlloj si ai, kori serb i arrogancës këndoi të njëjtin tekst, në tërë hierarkinë vertikale të shtetit.
Scott, kur dëgjoi përcaktimin fyes, “e ashtuquajtura Qeveri e Kosovës”, u përgjigj se, “Qeveria e Kosovës nuk është e ashtuquajtura, por Qeveria e Kosovës, e cila është një vend i pavarur dhe sovran”. Ministri Vulin as u mendua dy herë dhe shfreu i pafre, duke i bëri me dije ambasadorit amerikan, se do t’i kishte vënë thembrat nga majat e të shkonte nga kishte ardhur, po t’i shqiptonte këto fjalë në prani të presidentit. Gjithashtu, i tha dhe një proverb serb se, “ Sa më i zbrazët kungulli, aq më i pafytyrë është”, ndërkohë mëtoi t’ia kthjellonte kujtesën, duke ia bërë të qartë që, “Serbia nuk është një koloni”, çka i la të nënkuptonte se SHBA e ka kthyer Kosovën në koloni të saj.
Kjo lloj sjellje me shpërthime arrogance është sëmundje e përbashkët e radikalëve në pushtet. Pas ministrit të mbrojtjes Vulin, edhe ministri i jashtëm Ivica Daçiç, e përsëriti të njëjtin përcaktim, duke thënë për TV Prva, “e ashtuquajtura ushtri” e Kosovës. Kryeministrja Ana Brnabiç e mori në mbrojtje ministrin e saj, ndërsa thënien e ambasadorit amerikan e cilësoi “skandaloze dhe të pabesueshme”, dhe urdhëroi që të ndërpritet në mes çdo mbledhje, nëse, kushdoqoftë, përmend “Republika e Kosovës”. Me ta u përfshi edhe presidenti Aleksandër Vuçiç, duke iu përgjigjur ambasadorit amerikan me fjalët se, “... për ne është e ashtuquajtura qeveri dhe shtet i ashtuquajtur”. Beogradi e ka zgjeruar përdorim e kësaj fjale, nga e ashtuquajtura pavarësi, nga i ashtuquajturi shtet, nga e ashtuquajtura qeveri deri te e ashtuquajtura ushtri. Presidenti Hashim Thaçi nuk duhet të befasohet që, ky përcaktor thuhet edhe për të, dhe mund t’ia shqiptojnë në kohën e duhur “e ashtuquajtura Presidencë”, duke e shtrirë këtë term kundër Kosovës, që nga A-ja deri te ZH-ja.
Këta janë solistë, sepse kori serb i arrogancës kundër Kosovës është aq i madh sa, vështirë të mos i ketë rënë në sy edhe Brukselit kur ndërmjetëson. Ka edhe më shumë se kaq: arrogancën nuk e fshehin as ndaj Bashkimit Europian, madje në rrethanat e sotme botërore, nuk ia përtojnë as Gjermanisë e as SHBA. Ata kanë marrë kurajë të deklarojnë se ka perënduar “koha e turpit për Serbinë”, tani është koha e krenarisë për luftërat që bënë pas vitit ’90-të.
Ndoshta, Kosova po vihet me shpejtësi para ndryshimit të domosdoshëm të platformës së vet: më parë njohje të ndërsjellë ndërmjet dy shteteve, pastaj bisedime. Sepse, dialogu në Bruksel me ndërmjetësimin e Federica Mogherini, përveç që nuk çoi te zgjidhja, e ka bërë Beogradin të jetë më agresiv në qëllime dhe të shprehet edhe më egër për mosnjohjen e Kosovës. Si mund të bisedohet, kur qeveria e Beogradit nuk pushon për të zhbërë njohjet ndërkombëtare? Si mund të bisedohet me një shtet kur mes dy delegacioneve bashkëbiseduese nuk ka barazi? Si mund të bisedohet kur pala serbe nuk tregon respekt për palën shqiptare, madje përdor fjalë e përcaktime shpërfillëse, fyese, deri poshtërues? Kësisoj nuk bisedohet as mes dy individëve.
Serbia vetëqëndron larg realitetit të një Kosove të çliruar, të pavarur, të njohur ndërkombëtarisht. Ajo nuk është për marrëdhënie normale, përderisa shfaq synime pushtuese e kolonizuese.