Pas Brexit e “kapele-kuqeve”, tani ‘jelek-verdhët’

Hënë, 03 December 2018 17:43

Nga Kastriot Islami

Zemërim ekstrem. Zhgënjim. Mungesë shprese e perspektive.
‘Qorrsokak ngado që rrotullohemi.  Nuk durojmë më. Fed-up (në anglisht), ras-le-bol (në frëngjisht)..’, dhe troç në shqip: na ka ardhur shpirti në majë të hundës.
Jetesa është bërë e padurueshme dhe asnjë qeveri nuk zgjidh asnjë problem, vetëm i shtyjnë dhe zvarrisin, dhe për më tepër çdo ditë e më shumë mashtrojnë, sillen me arrogancë, nuk dëgjojnë dhe ‘na trajtojnë për budallenj’.
Ky është perceptimi dhe reagimi publik në shumë nga vendet perëndimore, për të mos thënë kudo në perëndim… Akoma më i rëndë është në vendet që duan ti  bashkohen perëndimit, pra në pothuajse të gjithë vendet ish-komuniste, ku të gjithë kësaj amalgame problemesh duhet ti shtohen edhe zullumet e qeverisjeve të papërgjegjshme nga korrupsioni galopant dhe paaftësia ekstreme.
Këtë nuk e them unë por lexohet fatkeqësisht në të gjithë gazetat e mëdha të perëndimit dhe dëgjohet e shikohet në të gjithë emisionet e TV të famshme në perëndim…
***
Unë mund të flas vetëm për Shqipërinë që është shembulli tipik i së Keqes së kthyer në model Suksesi nga një pakicë qeverisëse mediokre, e papërgjegjshme, hajdute, makute, e babëzitur, zullumqare, e inkriminuar, e lidhur me mafien e trafikantët, që pastron paratë në lavatriçen më të madhe në Europë dhe fsheh paratë në parajsat fiskale.
Që po shkatërron gjithçka në sytë e të gjithëve dhe vetëm shumë pak vetë reagojnë ndërkohë që të gjithë po shkojnë drejt greminës, përveç hajdutëve e kriminelëve që së bashku drejtojnë vendin dhe kanë bërë planë që në minutën e fundit të çajnë ferrën e të largohen.
Dhe që sillet me arrogancë me qytetarët apo i kërcënon të gjithë me policinë e kriminelët, me xhandarmërinë që premton të ngrejë apo civilët e kriminelët e hajdutët e vegjël të lagjeve që pasi të ka rrahur policia ushtarake apo civile të kërcënojnë e të godasin.
Apo që edhe të rrasin në burg pasi qeveria është bërë njësh me krimin e mafian ka vënë nën kontroll edhe prokurorët e gjyqtarët. Dhe blen e komprometon gjithçka që nuk arrin ta nënshtrojë, madje edhe disa zyrtarë perëndimorë apo përfaqësues të tyre në Tiranë.
Ferma e Kafshëve oruelliane është parajsë para asaj që ndodh në Shqipëri.. Dhe njëlloj si në Fermën e Kafshëve, krye-Derri që udhëheq Fermën, del e flet për Fake News dhe përcakton Armikun Dykëmbësh, Njeriu…
***
Në Britani ky perceptim u përkthye në votën anti-establishment për ta larguar Britaninë nga BE, pra në BREXIT. Në SHBA ky perceptim u përkthye në ardhjen në pushtet të ‘kasketave të kuqe’ të Trump. Në Itali, italianët përmes Lëvizjes së 5 Yjeve krijuan qeverinë e parë anti-establishment.
Në Francë ka nisur një lëvizje popullore me emërtimin ‘jelekët e verdhë’ që ka të njëjtat tipare në themel me lëvizjet në Britani, SHBA, Itali, Gjermani e gjetiu, por që gjendet në fillimet e saj… dhe që ka një veçori: përplasje të forta me policinë dhe institucionet…
***
Çfarë po ndodh?
I gjithë zemërimi nuk ka lindur në një ditë, është grumbulluar me vite dhe tani po derdhet, madje në disa vende me përplasje, me egërsi, me radikalizëm, me prishje të rendit, me thyerje, me përplasje të forta me forcat e rendit, me të plagosur e të arrestuar, por me dinjitet dhe konsekuentë për ti shkuar deri në fund kauzës së tyre…
Kudo lëvizjet anti-establishment janë fillimisht pa struktura drejtuese dhe pa përfaqësues të mandatuar… gjithçka e organizuar nga rrjetet sociale…Madje në fillim e kanë të vështirë të strukturojnë e paraqesin qartësisht kërkesat e tyre.. Në këtë lëvizje gjen kudo qytetarë nga të gjithë shtresat e shoqërisë, të papunë, të varfër që jetojnë nën pragun e varfërisë, të punësuar me pagë minimale që bëjnë jetë mizerje, të rinj veçanërisht por edhe të moshuar që nuk e sigurojnë dot jetesën nga pensioni, madje as nga puna për shkak të taksave të larta; gra e burra, intelektualë, profesorë e doktorë shkencash që nuk durojnë më dot të drejtohen nga injorantët, biznesmenë të vegjël e të mesëm që po fundosen nga kompanitë shumëkombëshe, e tjerë e tjerë…
Të gjithë urrejnë të gjithë politikanët që për më se 20 vjet kanë drejtuar vendin dhe kanë sjellë këtë gjendje..Duan që ata të largohen dhe meqë ata s’po pranojnë të largohen janë ngritur qytetarët ti largojnë… dhe nëse qeveria do të përdorë policinë kundër tyre për të ruajtur statukuonë ata shprehen të vendosur për ti larguar me çdo mjet, edhe me dhunë se sipas tyre janë pikërisht këta qeveritarë apo disa të tjerë para tyre që prej më shumë se 20 vjetësh kanë ‘ushtruar të gjithë llojet e dhunës ndaj tyre, duke i lënë pa punë, duke i lënë pa pension apo me pension qesharak, duke kanë rritur deri aty ku s’mban më të gjithë taksat, duke rritur çmimet, duke i ulur fuqinë blerëse… duke mos i dëgjuar, duke mos i zgjidhur asnjë problem e hall, duke u tallur, duke u sjellë me arrogancë, duke i marrë votën e duke i mashtruar…’ Dhe për të tepër, tani e cilësojnë ‘reagimin e tyre qytetar, të dhunshëm pasi e kanë vendosur në cep të murit dhe e godasin me të gjithë mënyrat e mjetet dhe nuk e lejojnë në reagojë…’.
***
Duket ajo që ndodhi në vendet ish-komuniste në vitet ’90 me rrëzimin e komunizmit po ndodh aktualisht me rrëzimin e establishmentit. Në vitet diku paqësisht e dikur me përplasje e akte dhune, madje diku edhe si në Rumani në 1989 me Çausheskun, byrotë politikë u detyruan të largohen.. Aktualisht në perëndim, me votë si në Britani, SHBA, Itali e gjetiu apo me përplasje si në Francë, mesa duket kudo po rrëzohet Establishmenti…
Po Shqipëria… Në 1989, në Shqipëri shumë pak për të mos thënë askush nuk e besonte që do të ndodhte rrëzimi i komunizmit.. Shqipëria konsiderohej ndryshe.. dhe e imunizuar nga gjithçka ndodhte në bllokun lindor…
Por mesa ky ishte iluzion i rremë… Kolapsi erdhi…
Edhe sot në Shqipëri, shumicës që qytetarëve i duket se shqiptarët janë të nënshtruar nga varfëria dhe kërcënimet e pushtetit, dhe nuk kanë as fuqi dhe as traditë të reagojnë por kanë gjetur rrugën e lehtë të largimit nga vendi…Se nuk ka kush ti organizojë dhe drejtojë…
Nuk është kështu…. Ajo që po ndodh gjetiu është rrugës edhe për te ne… po vjen me shpejtësi… Të shpresojmë vetëm të mos vijë me trazira, me rrënim ekstrem ekonomik, dhe përplasje e dhunë…Syri.net

Login to post comments