Si mund ta shpëtojmë universitetin nga Rama dhe Ramën nga universiteti

Saturday, 29 December 2018 14:27

NGA MARK MARKU

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka paraqitur para mediave paketën me 11 VKM dhe 4 urdhëresa, përmes të cilave pretendon se do të zgjidhë kërkesat e studentëve. Studentët i janë përgjigjur me shpërfillje kësaj pakete, siç kanë bërë që prej fillimit të protestës së tyre. Është ende e paqartë nëse paketa e paraqitur do të shuajë valën e zemërimit dhe ata do të kthehen në auditore në fillim të janarit. Se si kjo do të ndikojë te protesta e tyre, është ende e paqartë, pasi ata janë shprehur hapur deri tani se nuk kanë më asnjë besim te Kryeministri aktual. Por gjithsesi, një gjë mbetet e qartë nga mënyra se si Kryeministri është sjellë që prej shpërthimit të protestës: Kjo protestë nuk e ka ndryshuar aspak projektin kryeministror të shkallmimit total të sistemit universitar publik në Shqipëri. Madje “shpulla” e marrë nga studentët vetëm sa ia ka shtuar ngutin për ta përfunduar veprën e tij, para se t’i ikë pushteti nga duart.

Normalisht, një përfundim i tillë kërkon argumente dhe unë do të përpiqem këtu të jap pikërisht të gjithë argumentet, që na i jep me shumicë vetë Rama. Le ta nisim me vetë paketën. Kryeministri Rama deklaron se ligji nuk ndryshohet. Pikërisht ai ligj që ka sjellë këto pasoja, për të cilën studentët protestojnë sot, e pedagogët kanë protestuar prej shfaqjes së projektligjit. Është ligji që ka prodhuar një model universiteti publik pa autonomi financiare përmes bordeve të famshme të kontrolluara nga qeveria, të cilat, jo vetëm kanë dështuar në administrimin financiar të universitetit, por kanë penguar liritë akademike dhe i kanë vënë organet përfaqësuese akademike në një situatë absurdi pa asnjë rol në universitet. Rezultati: tarifa të larta, financim i kërkimit shkencor zero, zero investim në infrastrukturë mësimore, zero, zero, zero… Kryeministri i shkarkoi përfaqësuesit e vet në borde, madje, me akte nënligjore riformuloi edhe modalitetet e zgjedhjes së tyre, por, nga ana tjetër, thotë se ligji është i mirë. Nëse ligji është i mirë, atëherë përse nuk funksionuan këto borde?

Paradoksi qëndron në faktin se edhe pse ligji deklarohet i mirë dhe i paprekshëm, pjesa më e madhe e VKM-ve janë në kundërshtim me ligjin. Mjafton të përmendim këtu vetëm njërin prej tyre: atë ku qeveria tregon se si do të bëhen statutet e universiteteve. Sipas Kryeministrit, do të ketë një statut tip, mbi bazën e të cilit do të bëhen të gjitha statutet e universiteteve. Kjo është krejtësisht në kundërshtim me ligjin e Kryeministrit, pasi, po në këtë ligj kjo e drejtë i njihet senatit akademik dhe qeveria vetëm sa bën verifikimin e përputhshmërisë së tij me ligjin, gjë që e ka bërë për shembull me plot të drejtë Ministria e Arsimit, në rastin e statutit të Universitetit të Tiranës, duke ia rikthyer edhe njëherë statutin e hartuar kohë më parë. Por përveçse antiligjore, kjo VKM bëhet qesharake, pasi pjesa më e madhe e universiteteve i kanë bërë statutet e tyre dhe janë miratuar edhe nga Ministria. Do t’i ribëjnë edhe njëherë sipas modelit kryeministror? Rrumpallë hesapi.

Edhe në VKM-të e tjera vihet re po e njëjta frymë antiligjore. Për shembull, në çështjen e vetingut të titujve dhe gradave akademike. Verifikimi i tyre është mëse i domosdoshëm dhe duhej të ishte bërë më parë, por a ka vend në botë (ndoshta, ku i dihet, përveç Koresë së Veriut) ku Ministria merr përsipër rolin e vlerësuesit shkencor të profesoratit dhe aq më tepër vlefshmërinë e titujve dhe gradave shkencore? Cili do të ishte ai komision aq kompetent sa të merrte përsipër heqjen e një titulli doktorature, qoftë ai edhe me plagjiaturë, përveç Gjykatës? Pra, qeveria me këtë rast merr edhe rolin e vlerësuesit të punës shkencore, edhe të Gjykatës. Ndëshkimi i rasteve të plagjiaturës apo çfarëdolloj rasti tjetër abuzimi është plotëisht i mirëpritur, por procedura që propozon qeveria, më tepër se abuzuesit, godet thelbin e autonomisë së sistemit universitar, pasi asnjë instancë administrative nuk mund ta marrë këtë rol. Në gjithë botën plagjiatura ndëshkohet, por me një kuadër ligjor që i detyron universitetet ta bëjnë një gjë të tillë.

Pasi ndërtohet kuadri ligjor, çdo rast trajtohet si i tillë dhe jo me aksione si ky që propozon zoti Rama. Ja pra, që vetë VKM-të dhe urdhrat e Kryeministrit janë në kundërshtim me ligjin. Me sa duket në ndryshim nga deri më tash ku kemi pasur një ligj pa akte nënligjore, tani do të kemi disa akte nënligjore dhe urdhëresa që shkelin ligjin.

Vetë qëndrimi i zotit Rama në raport me krizën dhe zgjidhjen e saj është zhgënjyes për të ardhmen e universitetit. Asnjë përgjegjësi nuk mban Kryeministri. Edhe pse ka gjashtë vjet që është Kryeministër, ai nuk mban përgjegjësi, por na thotë si Mao Ce Duni se do të udhëheqë protestat kundër vetes. Dhe për ta shkarkuar këtë përgjegjësi nga vetja, ai fillimisht deshi t’ua ndërsente shoqërinë studentëve, duke i quajtur ata “ngelës”. Prej dy javësh, me një fushatë të ulët po mundohet që ta ndërsejë shoqërinë dhe studentët kundër pedagogëve. Një fushatë e tillë e poshtër që ka për model fushatën e Enver Hoxhës kundër klerikëve në vitin 1967, i përdor disa raste të abuzimeve të turpshme të disa individëve të korruptuar brenda profesoratit për përgjithësime për gjithë pedagogët. Tonelatat e fyerjeve dhe kërcënimeve të hedhura këto ditë mbi profesoratin e kanë burimin tek ai dhe janë prodhime të agjitpropit të tij. Ndërkohë që pjesa dërmuese e tyre kanë bërë sakrifica gjigande për t’u shkolluar, për t’u kualifikuar në universitetet më të mira të botës apo në ato shqiptare, japin maksimumin në kushte mizerabël që u krijon sistemi, me pagat dy herë më të ulëta se ato të kolegëve tanë edhe në vendet më të varfra të rajonit si Kosova apo Maqedonia, i kanë bërë studimet jashtë apo brenda vendit me financimin e tyre apo të fondacioneve dhe shteteve të tjera, paguajnë vetë për të marrë pjesë në konferenca shkencore, japin mësim në klasa të stërmbushura dhe pa ngrohje, pa laboratorë, pa infrastrukturë mësimdhënieje, para studentëve të varfër që u bie të fikët nga uria nëpër salla dhe që ndërsa rrinë para pedagogëve të tyre, duke dëgjuar si leksione, mendojnë si ta braktisin sa më shpejt Shqipërinë. Kryeministri Rama që ka mbaruar shkollën e mediokritetit të realizmit socialist, merr guximin t’i vlerësojë për aktivitetin shkencor, t’i tallë, t’i frikësojë (natyrisht ata që mund të frikësohen nga dordolecët e pushtetit). Në vend që të mbajë përgjegjësi edhe për moskapjen e atyre të korruptuarve nga radhët e pedagogëve, pasi ai duhet t’i kishte zbuluar me kohë me instrumentet e pushtetit që ka në kontroll, i barazon të gjithë dhe kërkon t’i njollosë të gjithë me strategjinë e qartë për të mos marrë vetë asnjë përgjegjësi dhe për ta projektuar përgjegjësinë e vet tek ata. Aq më e shpifur bëhet kjo fushatë e Kryeministrit kundër profesoratit kur e shikon Kryeministrin, që ka mbushur Parlamentin me vrasës, banditë e kriminelë, që i ka kandiduar ata për pushtetin lokal, që e mbushi vendin me kanabis, që i dalin ditë për ditë skandale me grabitje miliona dollarësh, të demaskojë korrupsionin e një profesori të pafytyrë që merr ryshfet, apo të një tjetri po aq të pafytyrë që ka vjedhur një pjesë të doktoraturës nga një tjetër. Do durohej kjo ndërkryerje antikorrupsion sikur këtë ta bënte Kryeministri i Suedisë apo makar edhe ai i Italisë, që vuan më shumë se vendet e tjera europiane nga korrupsioni, por jo ky i yni. Veç ky jo, se ky është “nona” e korrupsionit do të thoshin studentët në “memet” e tyre.

Përgjegjësi kryesor për këtë gjendje është ai dhe maxhoranca, që ai drejton. Ai është përgjegjës për ngritjen e tarifave të studentëve dhe rritjen e varfërisë së tyre. Ai është fajtor se bëri një ligj që as vetë nuk e zbaton dot. Ai është fajtor se i gënjeu shqiptarët për pesë përqindëshin e buxhetit të arsimit dhe jo pedagogët. Ai është fajtor që të diplomuarit tanë nuk patën mundësinë t’u shtoheshin 300 mijë vendeve të punës të krijuara nga ai. Ai është fajtor që vendin e studentëve tanë në administratën publike e zënë injorantët partiakë. Ai dhe bashkia, që drejtohet nga përfaqësuesi i partisë së tij, Veliaj, janë fajtorë për gjendjen e konvikteve, pasi prej Bashkisë së Tiranës varet Qyteti Studenti. Ai tallet me studentët dhe pedagogët kur merr me vete nënkryetarin e bashkisë Arbian Mazniku, fajtor i trefishtë para pedagogëve dhe studentëve: si zëvendësministër i Arsimit, ishte ai i ngarkuari për hartimin e këtij farë ligji, si nënkryetar i bashkisë është përgjegjës për gjendjen e konvikteve dhe kalimin e pronave të Universitetit në përdorim të bashkisë për parking, me një akt të pastër korruptiv, por edhe si anëtar i bordit të Universitetit të Tiranës është jo më pak fajtor. Profesorati, burokracia universitare kanë përgjegjësinë e vet dhe duhet ta marrin me seriozitet e ndershmëri para studentëve, shoqërisë, vetvetes, por nuk kanë përgjegjësitë, me të cilat kërkon t’ ngarkojë Kryeministri. Ato le t’i mbajë vetë dhe le t’i harrojë dokrrat me kryeministër protestues kundër sistemit që vetë e ka krijuar.

Për këto dhe shumë të tjera, paketa kryeministrore jo vetëm nuk mund ta zgjidhë krizën në universitet, por do ta thellojë atë. Sepse duket qartë se projekti i maxhorancës për universitetin nuk ndryshon nga të gjitha politikat kryeministrore për sektorin publik: shkatërrim të tij në favor klientelës private: të dukshme e të padukshme. I shpjegon të gjitha klientela, që po e tërheq zvarrë drejt humnerës Kryeministrin Rama e bashkë me të gjithë shtetin shqiptar. Edhe rritjen e tarifave, që studentët të shkojnë te privati, edhe fushatën e fundit denigruese kundër universiteteve, edhe përkeqësimin e konvikteve dhe kalimin e tyre me ligj për administrim nga Ministria e Ekonomisë te Bashkia e Tiranës, gjë që nuk ndodhi edhe me qendrat e tjera të studentëve në Shkodër, Gjirokastër, Korçë apo Elbasan (Qyteti Studenti duhet shkatërruar që të braktiset nga studentët në mënyrë që më pas t’i ndryshohet destinacioni si i vetmi truall ndërtimi i pazaptuar), edhe futja e kapitullit 12 në ligjin për arsimin e lartë, që e mundëson këtë edhe ligjërisht. Rama edhe pse është diplomuar për mësues vizatimi në një shkollë të realizmit socialist, e ka mësuar mirë biznesin gjatë kohës së qëndrimit në pushtet. Por edhe ne i kemi kuptuar aftësitë e tij. Prandaj, trupa akademike, studentët, të gjithë duhet të mobilizohemi që universiteti publik të mos ketë fatin e Teatrit Kombëtar, të cilin po e mbrojnë me kaq dinjitet një grusht njerëzisht heroikë prej gati një viti.

/Panorama/

Modifikuar më Saturday, 29 December 2018 14:34
Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...