Djegia e monumentit historik francez, “Zoja e Parisit” ose Notre-Dame, është shoqëruar me ironi shqiptare në rrjetet sociale. Regjisori Kastriot Çipi, një prej ndër më aktivëve në mbrojtjen e Teatrit Kombëtar nga plani i qeverisë dhe bashkisë për shembje, sjell këtë një koment ironik pas djegies së katedrales Notre Dame. Duke marrë shkas nga sjellja e qeverisë shqiptare në raport me pronën publike dhe trashëgiminë, ai ka ‘fantazuar’ një skemë të rindërtimit të Notre Dame nga Edi Rama, partnerët dhe mbrojtësit e tij në çështjen e Teatrit. Firma Fusha, Mero Baze, Erion Veliaj, Sander Lleshi, Artan Shkreli e të tjerë, janë përdorur mjeshtërisht nga regjisori për të ilustruar paradoksin dhe groteskun politik dhe shoqëror shqiptar.
Nga Kastriot Çipi
Qeveria franceze ka siguruar se Katedralja Notre Dame do të rilindë shumë shpejt. Ajo do të rindërtohet si pjesë e një projekti polifunksional, që do të synojë modernizimin, rijetëzimin dhe rikualifikimin urban të zonës.
Sipas idesë së Presidentit Macron, projekti i ri do të ketë katër kate parking nëntokësor, katër kate qendër tregtare dhe argëtimi, përfshi kinema, diskotekë, palestër dhe sallë lojërash. Kubeja e re do të jetë një strukturë çeliku dhe krejtësisht transparente, ndërsa kullat e këmbanores do të kthehen në hotel me shtatë yje, me 90-110 kate, si pasojë e fluksit të lartë të turistëve dhe mungesës së kapaciteteve të mjaftueshme të hotelerisë.
Projekti do të kushtojë midis 200 dhe 600 milion eurove, por taksapaguesit francezë nuk do të paguajnë asnjë cent nga taksat e tyre, pasi qeveria ka pranuar propozimin e pakërkuar nga kompania e specializuar në ndërtime urbane, Fusha shpk.
Për harmonizimin e përgjithshëm estetik është përzgjedhur artisti Anri Sala.
Afresket do të pikturohen nga Eljan Tanini, por ndryshe nga versioni arkaik i katedrales, ato nuk do të jenë piktura murale në interier, por aplikime në xham, që do të soditen si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë.
Xhamat e dritareve do të zëvendësohen me kolazhe vizatimesh në fleta A4 nga piktori Edi Rama, i cili do të ofrojë falas edhe një skulpturë të tij me baltë të Krishtit në Kryq.
Pikërisht vepra në baltë e Krishtit mbi Kryq pritet të jetë atraksioni më i madh i Parisit në 81 vitet e ardhshme të shekullit XXI, pasi për herë të parë në historinë e krishterimit, nuk do të shohim imazhin klasik të Krishtit me mjekër dhe trup kockë e lëkurë, por një figurë me identitet seksual të përzier. Figura do të ketë mjekrën e Krishtit dhe gjinjtë e Shën Mërisë dhe do të jetë, natyrisht nudo. Mbi zonën gjenitale do të ketë një leckë, të cilën shikuesit kureshtarë mund ta lëvizin paksa, për të zbuluar seksin e Krishtit… por, do të përballen me një befasi të jashtëzakonshme: një model 3D me lazer, do të ofrojë një pamje të ndryshueshme të gjenitaleve të mashkullit, atyre të femrës, si edhe një shartimi mes të dyjave.
Për të mos u humbur do të jetë edhe Ballkoni Binjak i Parisit, me fjalë të tjera, dy tarracat e kullave të hotelit, nga ku do të mund të shihet i gjithë Parisi, përmes një pylli të realizuar me pemë nga e gjithë bota, në shenjë solidariteti botëror me Francën, i konceptuar nga piktori tjetër shqiptar, Blendi Gonxhe.
Projekti arkitektonik është realizuar tashmë nga Alban Eftimi dhe studioja e tij Atelier 4.
Procedurat e prokurimit të drejtpërdrejtë dhe lidhjes së kontratave do të kryhen mbi bazën e një ligji special që do të miratohet brenda 24 orëve të ardhshme nga Parlamenti dhe do të autorizojnë për zbatimin e tyre kryebashkiakun më të mirë në botë, Erion Veliaj.
Me gjithë kontributin jashtëzakonisht bujar të Shqipërisë në këtë projekt, ambasada franceze në Tiranë shpreh keqardhjen që pikërisht nga Shqipëria ka ardhur edhe kritika e vetme në botë ndaj këtij projekti. Bëhet fjalë për një grafikë nga artisti nihilist, filo trumpist dhe i dyshuar si agjent putinist, Avni Delvina.
Me këtë rast, ambasada franceze në Tiranë përshëndet peticionin e organizatave të rrjetit Soros, drejtuar Presidentit Meta, për heqjen e nënshtetësisë shqiptare, artistit shqiptar me banim në Itali dhe i bën thirrje shoqërisë civile të ndërmarrë të njëjtën nismë edhe kundër brexitistit Genc Sejko, i provuar tashmë si antieuropian dhe bashkëpunëtor i Farage.
Shënim: Ky lajm do të përditësohet në kohë reale, duke pasqyruar zhvillimet më të fundit.