Ish-Kryeministri Sali Berisha ka shpërthyer në akuza ndaj Ardian Dvoranit, kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili është kallzuar penalisht në Prokurori nga Presidenti Ilir Meta.
“Një delinkuent, që prej gjashtë vitesh dhunon vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ndërprerjen e mandatit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë dhe merr rrogën, Dvorani që fshehu në veting 100 milionë lekë, pseudogjykatësi që për pesë vite gjykonte në panel me djalin e tezes, gjykatësi i korruptuar që gjykonte për interesa të xhepit në konflikt interesi, kryeson sot, për llogari të Edvin Mafisë, KED”, shkruan Berisha në rrjetin social, duke publikuar edhe një video, të shpërndarë nga Presidenca.
Ish-Kryeministri shkruan se vendi i tij është para ligjit!
“Ndiqni videon, e cila dëshmon se si ky delinkuent theu Kushtetutën dhe ligjet për të kapur Edvin Mafia, Gjykatën Kushtetuese!”, shkruan Berisha.
Presidenti Meta e ka kallzuar penalisht Dvoranin për shpërdorim detyre dhe për përvetësim të titullit dhe detyrave shtetërore. Përplasja mes Dvoranit dhe Metës kishte si shkak emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.