Rama e përdori edhe racizmin, tani s’i ka mbetur veç gjobitja e oligarkëve të oborrit

Diel, 15 December 2019 12:35

Nga Ilir Nikolla

Shenjat e fundit të një qeverimi shfaqen qartë kur ajo i kërkon zgjidhjet e ngërçeve që i dalin përpara tek diskriminimi, tek segregacioni apo tek aparteidi (zgjidhni termin që doni në bazë të qeveritarit që kërkon zgjidhjen e problemeve, Edi Ramës, Sandër Lleshajt apo Erion Braçes). Shfaqjet e shëmtuara të Edi Ramës dhe vartësve të tij në Kënetë të Durrësit, në Thumanë, në Laç e në Lezhë rrëfejnë qartë për mungesën e çfarëdo vizioni në zgjidhjen e një krize humanitare. Parimet e qeverisjes së mirë janë rrëzuar të gjitha e të gjitha njëherësh, me 26 nëntor. Vini re si ringjallen Arben Ahmetaj e Vangjush Dako pas tërmetit dhe se si varrosen njëherë e mirë premtimet për pagën e 13-të, për shpërblimin e pensionistëve për fundvit apo edhe paketa e investimeve për sistemin arsimor. Me një të rënë të lapsit, bien të gjitha aksionet sociale, ndihmat për shtresat në nevojë, por meazallah se i shkon ndokujt në qeveri ideja të heqë dorë hëpërhë nga disa investime që mund të duken si luks për momentin, të shkurtojë shpenzimet administrative, apo me fjalë të përmbledhura “të shtrëngojë rripin”. Rripi shtrëngohet veç tek shtresat në nevojë.
E në fakt s’ka si të ndodhë ndryshe, në një vend kur prej 6 vitesh e gjysmë indeksi i perceptimit të korrupsionit veç rritet e fuqia blerëse veç bie. E vetmja gjë e pandryshueshme ka mbetur parimi i shpërndarjes së koncesioneve, të cilat vetëquhen si “shërbime”.
Radhitja e masave sociale për uljen e varfërisë që anullohen me një të rënë të lapsit na shërben për të lexuar më mirë shfaqjen e diskriminimit që qeveria po u bën një kategorie të prekurish nga tërmeti, veçanërisht në zonat e Laçit e të Lezhës. Aty hapur po shfaqet segregacioni ndaj popullsisë katolike (disa vëzhgues thonë se trajtohen ashtu se nuk janë votues të qeverisë e jo se janë me prejardhje katolike, po njësoj do të ishte i rëndë segregacioni), si dhe racizmi ndaj romëve (veçanërisht mediat raportojnë raste në Lezhë). Për ta bërë më të qartë panoramën, mund të shtojmë edhe trajtimin që ju bë banorëve të Floqit në Korçë, gjatë tërmetit të paradokohshëm, të cilët ende gjenden në çadra, po për ta askush në qeveri s’e çan kokën, sepse prej kohësh ata janë klasifikuar si banorë pa qeder, si banorë të kategorisë së dytë.
Kjo soj qeverie që i kërkon zgjidhjet e problemeve duke shtuar barrën mbi një kategori të popullsisë, e cila quhet si e kategorisë së dytë, a për arsye politike, a për arsye fetare, por thuajse gjithmonë për arsye regjionale (sepse gjendet në periferi, jashtë vëmendjes së publikut), për të mundur kështu të balancojë disi plagën në nivel kombëtar, rrëfen standardin e lartë amoral të qeverisjes, por edhe mungesën totale të vizionit për kapërcimin e krizës.
Shkurt, shfaqja ashiqare e diskriminimit, pas tërmetit të 26 nëntorit, i flet publikut për pamundësinë e qeverisjes për të dalë nga kriza me metodat tradicionale, pra me metodat e balancimit të buxhetit, ndalimit të shpenzimeve, thithjes së ndihmave nga jashtë apo në masë ekstreme edhe me vendosjen e një takse të përkohshme kombëtare për kapërcimin e gjendjes. Asnjërën nga këto masa klasike s’e bën dot qeveria “Rama”, pasi ajo e ka lënë peng buxhetin tek adresat oligarkike që dihen, dhe s’është autonome për të bërë balancim të tij dhe nuk garanton asnjëfarë ndihme nga jashtë, për shkak të namit të ditur botërisht si një qeveri abuzive. Sa për një taksë të re kombëtare, dihet se ekuilibrat e ekonomisë tonë prej kohësh notojnë në një balancë të brishtë dhe një takse e re kombëtare do ta rrëzonte gjysmën e popullsisë nën atë nivelin që Banka Botërore e cilëson si niveli zyrtar i varfërisë, pra do të çonte 1 milion e gjysëm shqiptarë në nivelin që të vuanin për bukën e gojës. Kjo është gjendja, e cila s’kapërcehet me deklaratat e Ramës se shqiptarët s’kanë vuajtur për bukë as në Mesjetë, e as me premtimet se ky dimër le të kalohet në çadra, pasi mot mund të bëhet më mirë. Edhe ky dimër s’kalohet dot, nëse qeveria nuk përdor metodën e pisët të diskriminimit territorial për banorët e Laçit e të Lezhës, për romët e prekur nga tërmeti, si dhe për pensionistët dhe punonjësit buxhetorë që janë marrë peng dhe s’protestojnë dot për heqjen e pagës së 13-të.
Gjithsesi, rastet analoge tek qeverisjet e dështuara na rrëfejnë se përdorimi i metodës së diskriminimit është një lëvizje e dëshpëruar, që nuk të mban gjatë, është si ajo pika e ujit që derdh gotën. Duhet të vinte tërmeti i 26 nëntorit, që të dilte faqe botës fytyra e aparteidit të kësaj qeverie, e cila zaten gëzon edhe një trashëgimi në këtë drejtim, nga qeveria e diktaturës. Pas këtij momenti s’ka më asgjë, pastaj vjen përzgjedhja brenda llojit dhe do të shohim luftën se cili koncesion do të digjet fillimisht në altarin e kapërcimit të krizës. Se cilit oligark do t’i mbyllet çezma buxhetore të parit s’na intereson shumë, e rëndësishme është se diskriminimi territorial ishte masa e fundit shtrënguese, më përtej radha për shtrëngimin e rripit është vetëm tek oborri i kryeministrit të Surrelit.

Modifikuar më Diel, 15 December 2019 18:07
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...