Emigrimi i shteteve

Hënë, 27 Janar 2020 16:26

Nga Qemal SAKAJEVA

Emigrim njerëzish ka pasur gjithmonë,  madje s’janë ndërprerë as zhvendosje popullatash të tëra. Kaosin e hershëm, i ngjashëm me të sotmin, e përcjellin edhe gojëdhëna të lashta. Dy turma të mëdha  njerëzish  në shtegtim,  u takuan diku përgjatë udhëtimit, dhe pyetën:

-Për ku kështu?

-Për andej nga ju. Kemi dëgjuar se është më mirë.

 (A nuk thanë britanikët se më mirë është jashtë BE?)

-Po ju, për ku?

-Atje ku ishin ju, na kanë thënë se është më mirë.

(A nuk po këmbëngulin shqiptarët (jo vetëm Shqipëria)  për t’u futur në BE, se është më mirë?)

Edhe në kohërat tona “nuk dihet se ku është më mirë”. Madje as në shkallë vendesh, përderisa jetojmë  kur ndodhin edhe “emigrime” shtetesh. Ishte një periudhë e gjatë,  që fjala Grexit e formuar nga bashkimi i fjalës “Greek” ose “Greece” me fjalën  angleze “exit”, domethënë Greece Exit = Greek exodus = Greek exit from the EU, që në shqip ka të njëjtin kuptim si dhe në anglisht - dalje e Greqisë nga BE -,  e krijuar nga Ebrahim Rahbari i Citigroup, e publikuar së pari në një letër me autorë Rahbarin dhe shefin e Citi, ekonomistin William Buiter, pra ky fjalëformim mbisundoi  politikën e BE-së, përmbyti mediat e gjithë botës, përfshiu specialistë të njohur. Kjo fjalë origjinale e krijuar në shkurt të vitit 2012, sipas gjuhëtarëve është ndër  më të rrallat fjalë, tashmë e futur në fjalorët e mëdhenj të gjuhës angleze, të cilës i dihet data e saktë e krijimit dhe etimologjia. Por në kulmin e rrezikut  nga Grexit,  Greqia nuk  kërkonte të dilte nga Bashkimi Europian.  Athina i ndryshoi qeveritë përmes zgjedhjeve dhe çdo qeveri  vetëm  lypte para pa numërim për të përballuar borxhin gjigand,  nga që qeveritë e ndryshme njëra  pas tjetrës i kishin bërë financat e shtetit “rrush e kumbulla”.  Zëra të rëndësishëm nga  nivele të larta të BE-së, të gjendur para malit grek të borxheve, shpreheshin me zemërim kundër  shpenzimeve të shfrenuara nga elitat greke, duke thënë edhe më të fundit : Le të dalë!  Zëra të tjerë këmbëngulnin për ndihmë me hua qindramiliardë, sepse Grexit do të krijonte një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e BE-së, domethënë  mund të ndodhte një reaksion reversibël, domethënë  i  dykahshëm, integrim shtetesh  (projekti  gjigand i Europës së pas Luftës së Dytë Botërore)  dhe ç’integrim i shteteve, domethënë largimi i tyre nga BE.

Kjo dhimbje kreje shumë e fortë për Bashkimin Europian, shkaktuar  në  skajin më jugor të tij, pak më vonë u  transferua mu në veriun e vet në formën e Brexit = British exit from the EU, domethënë dalja e Britanisë së Madhe nga BE, gjuhësisht diçka krejt simetrike me Grexit, por për shkaqe krejt të tjera, dhe me pasoja tronditëse, e  vulosur me referendumin e  23 qershorit të viti 2016. Nëse për Greqinë kishte zëra kritikë të fuqishëm, që edhe thoshin “le të dalë!” (pra të “emigrojë” jashtë BE-së),  për Britaninë e Madhe  shqiptohej  me drithërimë lutja  “mos dil!” (domethënë mos “emigro” nga BE). Por pas tre vitesh  të vështira për Britaninë e Madhe, në negociata me Brukselin për një Brexit me  marrëveshje, më në fund ndodhi: më 31 janar 2020 Britania e Madhe përfundimisht është jashtë Bashkimit Europian.  Brexit  është tashmë një precedent i paimagjinueshëm për frymën përcjellëse. Britania e Madhe, edhe pse  gjendet mu në veri të Europës,  një vend  ishullor i rrethuar me detra dhe oqean, vala e pa ndalur e emigrantëve duket se e ndikoi  së tepërmi mendimin e votuesve për të dalë nga BE, jo vetëm për nga numri i tyre i jashtëzakonshëm e i paparashikuar, por edhe nga frikësimi që kanë përcjellë shtete anëtare dhe jo anëtare të BE. Studiuesit Ron Hassner dhe Jason Witenberg kanë  shkruar se, nga 51 kufij të fortifikuar,  të ndërtuar  ndërmjet  vendeve që pas përfundit të Luftës së Dytë Botërore, rreth gjysma e tyre janë  ngritur mes  viteve 2000-2014. Bota është mbushur plot me gjerdhe:  gardhi ekzistues Meksikë-SHBA, muri  Izrael - West Bank,  gardhi Arabi Saudite - Jemen, gardhi  Hungari - Serbi, gardhi Kroaci - Serbi, gardhi që Austria mendoi të ndërtonte në kufi me Italinë, gardhi Maqedoni - Greqi, gardhi Bullgari - Turqi.  Revista angleze “The Economist” ka shkruar qysh prej vitesh se “Europa do të ketë së shpejti më shumë barriera fizike në kufijtë e vet kombëtarë se sa pati gjatë Luftës së Ftohtë”.  Gjithë kjo pamundësi dhe frikë ka krijuar mendimi se Bashkimi Europian nuk është i integruar sa duhet përderisa nuk ka fuqinë për t’u vetmbrojtur.  Sipas një sondazhi të kryer dikur nga DW (Deutcshe Welle), qe  thënë se “dalja e Britanisë së Madhe nga BE do të ishte një sinjal për ç’integrim të mëtejshëm të BE-së” dhe se “Europa do të bëhej më “jugore”.  Kjo ide, në mënyrë të pavarur, atëherë qe theksuar më ashpër nga Qendra Kërkimore Bruegel në Bruksel, duke shkruar që  “Ne do të mbetemi vetëm me të gjitha shtetet e Mesdheut që përfitojnë të shpenzojnë para dhe me preferencën e tyre për rishpërndarje, dhe neve do të në duhet të paguajmë për ta. Kjo është frika e madhe”.

Përkundër  Britanisë së Madhe që “emigroi” nga  BE (Boris Johnson - ish-kryebashkiaku i Londrës dhe tani kryeministër i Britanisë së Madhe - pati thënë para publikut se “ BE është një hiç”, ndërsa këto ditë ai firmosi daljen e vendit nga BE duke shkruar se “Kjo firmë hap një kapitull të ri në historinë e kombit tonë”), gjashtë vendet e  Ballkanit perëndimor,  Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia, Bosnjë- Hercegovina, Kosova, përpiqen të futen në BE e nuk munden. Pas 30 vjetësh nga përmbysja e sistemit komunist  ato gjenden ende mjaft larg. Anëtarësimi në BE  mbetet për to qëllimi më  i madh, gjithësesi  me diferenca të dukshme ndërmjet tyre: shqiptarët, të Shqipërisë dhe të Kosovës, mezi presin të anëtarësohen; Mali i Zi e ka përcaktuar  qartësisht  prirjen  kah  BE;  Maqedonia  është e  vonuara e ndryshimit të emrit;  Serbia mëton të  ketë “dyshtetësi”,  të mbajë pasaportën e Rusisë dhe të përfitojë  pasaportë  të  BE-së;  ndërsa  Bosnjë-Hercegovina  sillet  të  jetë e kushtëzuar me çfarë i thuhet  Republikës Srpska nga Beogradi.

Agresiviteti  i Rusisë nuk vjen vetëm nga gazi dhe armatimi, por edhe mendimi politik rus i palëvizshëm se,  Bashkimi Europian nuk është i fuqishëm  me shtete që duan  të futen e s’futen dot  dhe shtet që vendosi të ikë e nuk e ndalën dot. Rusia  do ta donte Bashkimin Europian si një Bashkim Sovjetik në shpërbërje.

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...