Strategjia djallëzore e Serbisë për t’u rifaktorizuar në Ballkan

E Enjte, 30 Janar 2020 10:04

Gjatë legjislaturës par lamentare 2005-2009 kam pasur mundësinë dhe nderin të drejtoj delegacionin e Parlamentit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës (APKE), kohë gjatë së cilës arrita të fitoj edhe 4 mandate, ku më të rëndësishmit ishin mandatet e zv.presidentit të AP të KE-së dhe i zv.presidentit të Grupit Parlamentar të Partive Popullore Europiane (PPE), grupi me i madh politik në Europë. Kjo periudhë tepër intensive, që kërkonte një përgjegjësi dhe përgjegjshmëri tepër të lartë, do të përbënte edhe një eksperiencë të jashtëzakonshme në fushën e diplomacisë, të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të së drejtës ndërkombëtare. Debati kryesor dhe më i nxehtë në politikën europiane gjate atyre viteve kishte të bënte me Kosovën dhe statusin e ardhshëm të saj, gjë që do të më “detyronte”, por edhe do të më motivonte dhe jepte mundësinë që të studioja dhe të njihja mirë politikën dhe diplomacinë jo vetëm perëndimore, por edhe atë serbe dhe ruse, pasi Rusia ishte edhe mbështetësja kryesore dhe e hapur e Serbisë në Asamble. Sfidat dhe debatet për Kosovën nuk do të reshtnin edhe pasi Kosova, me përkrahjen vendimtare të SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës, Turqisë dhe të vendeve më të fuqishme në NATO-s dhe BE-së, do të shpallte pavarësinë më datën 17 Shkurt 2008, pavarësi e cila do të njihej nga shumica e vendeve të zhvilluara, duke e çuar numrin e njohjeve në rreth 115 vende. Pavarësia e Kosovës do të njihej edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010.

Ishin vite këto kur politika dhe diplomacia serbe tregoheshin akoma me gisht në Europë, duke qenë totalisht të izoluara dhe të papranuara në marrëdhëniet ndërkombëtare, për arsye të luftës etnike dhe fetare nga serbët, që shkaktoi mijëra viktima civile të pafajshme në Ballkan, si dhe të gjenocidit të mirëfilltë dhe masakrave që kryen serbët, më të tmerrshmet në Europë që nga koha e Holokaustit të Hitlerit. Ndonëse serbët ishin totalisht të izoluar e të frustruar nga krimet që kishin kryer, jo vetëm që nuk u shkonte në mendje të kërkonin falje për krimet e kryera, por ata prezantonin një diplomaci tepër agresive, të mirorganizuar dhe të supersponsorizuar. Diplomacia e tyre nuk bazohej në asnjë fakt historik, kulturor apo juridik, përkundrazi ata i shtrembëronin dhe manipulonin faktet dhe të vërtetat historike, kulturore apo juridike, edhe kur ato ishin të ditura botërisht. Diplomacia serbe bazohej mbi shpifjen, trillimin, ankimimin, hipokrizinë dhe synimi i tyre ishte tepër i qartë, ata donin që të dilnin nga izolimi millosheviçian dhe të rifitonin pozitat dominuese në politikën ballkanike dhe më gjerë, pozita që i kishin pasur që në kohën e Titos, duke drejtuar edhe të ashtuquajturat “Vende të paangazhuara”, nënkupto “Botën e Tretë”, ku ishin edhe të gjitha vendet e pasura të Gjirit Persik, nga ku Jugosllavia merrte miliarda. Avash-avash, serbët filluan të dalin nga guaska e izolimit ku i futi lufta e shkaktuar nga vetë ata dhe filluan të përpiqen që të jenë faktorë vendimmarrës në Ballkan dhe më gjerë. Ndërkohë që ata vazhdonin të investonin shumë në diplomaci, asnjëherë nuk kërkonin falje për krimet e kryera në Ballkan. Është interesant fakti se që nga Millosheviçi, duke kaluar në paradë të gjithë lidershipin post-Millosheviçian (presidentë, kryeministra apo ministra të Jashtëm), pothuajse të gjithë pa asnjë përjashtim nuk bëjnë asnjë lloj dallimi nga qëndrimet e Millosheviçit për Kosovën, si “djepi i Serbisë”, “se serbët janë autoktonë dhe kosovarët të ardhur”, se “manastiret ortodokse në Kosovë janë tregues i qytetërimit dhe lashtësisë serbe”, etj…etj… Lloj-lloj broçkullash të gatuara në kuzhinat e Cubrillovicëve, Qosicëve, Rankovicëve, për dekada dhe shekuj me radhë, për të përfunduar te Sllobodan Milloshevici dhe pasuesi i tij aktual, Aleksandër Vuçiç.

Fuqizimi i faktorit shqiptar në Ballkan dhe mundësia e krijimit të një tregu shqiptar në Ballkan, i ka frustruar dhe shqetësuar shumë serbët, gjë që e kanë shprehur formalisht dhe informalisht shumë herë. Realiteti i ri me Kosovën (shtet të pavarur), plus Shqipëria (po shtet i pavarur), plus faktori shqiptar në Maqedoni, në Malin e Zi dhe aq sa është në Serbi, i ka bërë serbët që automatikisht të humbasin dominimin e tyre shekullor në Ballkan. Përveç shqiptarëve, serbët nga ana tjetër kanë një marrëdhënie të izoluar me kroatët, për arsye historike, për arsye të orientimit perëndimor, kryesisht gjerman të kroatëve, për arsye të luftës së fillimviteve ’90, por edhe të faktit se kroatët ua njohin mirë serbëve hiletë dhe hipokrizinë dhe nuk i pranojnë ata aspak si partnerë të besueshëm. Me pavarësinë e Malit të Zi në vitin 2006, serbët humbën edhe të vetmin domen që u kishte mbetur nga ish-Jugosllavia (Unioni SerbiMal i Zi) dhe të vetmen dalje në Detin Adriatik. Realiteti i ri në Mal të Zi dhe koha treguan se marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe malazezëve janë të ngrira, aspak miqësore dhe shpeshherë të tensionuara, pasi malazezët kanë qenë lodhur nga dominimi serb (ndonëse ata u kishin shërbyer historikisht serbëve edhe nëpërmjet daljes në det), gjë që kishte rrezikuar realisht edhe identitetin e tyre kombëtar. Maqedonasit, po ashtu, dihet që nuk përbejnë domen të Serbisë dhe janë të angazhuar me problemet e tyre dhe nuk kanë ndërmend t’u shërbejnë serbëve. Edhe Bosnje-Hercegovina me tri pushtete paralele dhe 3 etni (boshnjake, kroate dhe serbe), ku vetëm një e treta influencohet nga Serbia (Republika Serbska), nuk i bën punë Serbisë. Kështu që në këtë realitet të ri aspak të favorshëm për serbët, Serbia mbetet më e izoluara, më e vetmuara, më e margjinalizuara në Ballkan, e pafuqishme ekonomikisht, ushtarakisht dhe strategjikisht. Serbia nuk është më vendimmarrëse si më parë, kur komandonte një ishJugosllavi, për të cilën serbëve u qan jo pak zemra. Fatkeqësisht, ka akoma serbë, sidomos në lidershipin politik, të cilëve u ka ngelur ora atje, në atë kohë, tek ish-Jugosllavia, të cilën mundohen ta ngjallin, por që s’do munden kurrë ta bëjnë. Politika dhe lidershipi serb janë tejet të frustruar edhe nga dyzimi që kanë në mes Lindjes dhe Perëndimit, pasi në fakt nuk janë as Lindje dhe as Perëndim. Ata e duan Perëndimin, e duan BE-në, pasi duan integrimin dhe investimet perëndimore, e duan NATO-n, por nuk hyjnë dot në NATO për shkak të Rusisë, nga e cila nuk shkëputen dot, ndonëse Rusia nga ana e vet nuk u jep apo garanton asgjë serbëve, vetëm i përdor ata për interesa të veta.

Në këtë realitet të ri në Ballkan, në këto kushte të reja, e vetmja alternativë dhe barkë shpëtimi për serbët për të dalë nga izolimi do të ishte “lideri global”, Kryeministri i Shqipërisë, pasi një marrëdhënie të mirë me Shqipërinë serbët do ta shisnin shumë shtrenjtë në diplomacinë ndërkombëtare. Qëllimi kryesor, gjithmonë i serbëve, ka qenë që të ndanin qëndrimin e Shqipërisë nga beshtja e Kosovës, gjë që ia kanë arritur në sajë të “Kryeministrit global” dhe diplomacisë zyrtare të tij. Pra, serbët “predikojnë” se janë për fqinjësi të mirë, pavarësisht se masakruan Ballkanin për 1 dekadë dhe kurrë nuk kërkuan falje. Serbët “janë për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Shqipërinë”, pavarësisht se ne nuk jemi vend fqinj me Serbinë në asnjë pikë. Ne do të ishim vend fqinj me Serbinë vetëm nëse Kosova do të konsiderohej pjesë e Serbisë, siç vazhdon të konsiderohet nga serbët, dhe siç fatkeqësisht publikohet nga hartat e Kryeministrit apo të teksteve shkollore në Shqipëri. Nëpërmjet kësaj “fqinjësie të mirë”, serbët do të mbrojnë hipotezën e tyre “se me shqiptarët e Shqipërisë ne nuk kemi probleme”, pasi, nënkupto, “ata janë të mirë”, por problem janë shqiptarët “terroristë” të Kosovës, të cilët “nuk jetojnë në tokat/territoret e tyre se vendi i tyre është Shqipëria), por janë “kolonë” që “na kanë okupuar territoret tona dhe se Kosova i Metohija, është qendra e kulturës, e historisë dhe e trashëgimisë serbe” dhe se kosovarët janë “ca barbarë të ardhur që po na djegin manastiret tona ortodokse”?!

Dhe për t’ia arritur kësaj, serbët nxirren nga kuzhinat e tyre shoviniste idenë e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjimit të kufijve”, gjë që s’ishte asgjë tjetër veçse ndarje e mëtejshme e Kosovës, ide që fatkeqësisht u përkrah, lançua dhe investua shumë edhe nga disa shqipfolës, një akt i pastër ky i tradhtisë kombëtare. Por lavdi Zotit që kjo ide u bë nul, në sajë të reagimit të elitës së kombit, intelektualëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe diasporë, në sajë të qëndrimit burrëror dhe patriotik të Heroit të Kosovës në Luftë dhe në Paqe, Ramush Haradinajt dhe natyrisht të kancelarive perëndimore ku spikat Kancelarja gjermane, Angela Merkel, që i vuri kryqin kësaj teorie serbomadhe shoviniste. Një qëndrim dinjitoz dhe denoncues të përditshëm kundër ndarjes së Kosovës ka mbajtur ish-Kryeministri dhe ish-Presidenti Sali Berisha, që meriton të përgëzohet.

Pasi dështoi skenari për ndarjen e Kosovës, serbët nxorën nga arkivat “miniShengenin”, i cili në vetvete nuk është asgjë më shumë sesa pikërisht kjo strategji tepër djallëzore e Serbisë, e cila “ka veshur lëkurën e qengjit” dhe ëndërron të jetë përsëri faktor vendimmarrës dhe dominues në Ballkan, me qëllim që të eklipsojë dominimin shqiptar që vjen për arsye të zhvillimeve të pashmangshme dhe të pakthyeshme historike të këtij shekulli dhe mileniumi të ri, ku historia po na kthen borxhin që na kishte, por që ne duhet të dimë ta shfrytëzojmë në favorin tonë kombëtar.

Edhe “mini-Shengeni” orwellin do të dështojë siç dështoi “korrigjimi i kufijve”, pasi në fund të kësaj historie turpi do të mbetet vetëm çifti Rama-Vuçiç (nëse ata do të jenë akoma në politikë), çifti që përfaqëson vende që nuk janë as fqinje, as kufitare, pasi kanë një Kosovë në mes, së cilës nuk kanë se çfarë t’i bëjnë, pasi është një realitet i ri, një shtet i ri, i banuar në mbi 90% nga shqiptarë, banorë autoktonë prej miliona e miliona vjetësh ne Ballkan.

Natyrisht, u përpoqa të shkruaj aq sa më lejon edhe konfidencialiteti dhe protokolli i posteve që kam mbajtur në Europë, por që ka edhe shumë gjëra të tjera që mund të shkruhen në të ardhmen, kur të parashkruhen ato që kanë ndodhur në Europën e para 10-15 vitesh.

Modifikuar më E Enjte, 30 Janar 2020 10:07
Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...