Menjëherë pasi kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se arriti marrëveshje me një grup artistësh për ndërtimin e teatrit të ri Kombëtar, deputetët e opozitës kërkojnë dëgjesë me të.
Me anë të një deklarate ata kanë kërkuar dëgjesë me Veliaj ne 4 korrik për ligjin e posaçëm që shemb Teatrin Kombëtar, pasi sipas tyre i jep falas privatit territorin e Teatrit dhe prona të tjera shtetërore për të ndërtuar kulla. Kjo kërkesë është firmosur nga deputetët e opozitës në Komisionin e Kulturës, të cilët e kanë thirrur Erion Veliajn, duke shprehur shqetësimin se ligji i propozuar, ku ai ka rolin e Negociatorit, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe disa ligje të tjera.
Në çështjet e rendit të ditës, deputetët e opozitës kanë përfshirë për diskutim edhe mënyrën sesi do të zhvillohet territori përreth Teatrit Kombëtar. Dëgjesa e thirrur nga opozita që, në zbatim të Rregullores, përbën më shumë se 1/3-ën e komisionit, është kërkuar pas një jave, të mërkurën, në 4 Korrik.