Shqipëria u la sërish jashtë Europës. Duke pasur në krye një qeveri tashmë të etiketuar narkotike, të përfshirë nga korrupsioni e keqdrejtimi, nuk kishte asnjë shans që ky grupim politik t’ia hidhte Europës me demagogjinë e tij. Dështimi i parë i takon qeverisë më të papërgjegjshme të historisë së Shqipërisë, e cila këto 5 vite e ka larguar vendin si askush tjetër nga Europa. Në krye të ekipit të kësaj qeverie është Edi Rama. Përveç keqqeverisjes, ky arriti rekorde të paparë më parë si kriminalizimi i politikës (veprim ky i njëjtë me paraardhësit që drejtonin Shqipërinë nga viti 1944 e vijim), mbjelljes së 99.98% të territorit të mundshëm me kanabis, korrupsioni i lartë në çdo qelizë të administratës, si dhe ngërçi qeverisës gjithandej. Po ashtu Rama është në përpjekje për të kapur reformën në drejtësi duke dashur ta ketë atë instrument kundër të tjerëve, duke zhdukur çdo pavarësi e çdo anë profesionale të saj, etj. Por, një dështake tjetër këto vite është e avokatja e qeverisë, ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin. Kjo gjithë këto vite për arsye që nuk i dimë të gjitha e do ishte mirë t’i dinim plotësisht, ka vepruar si ministër i qeverisë Rama jashtë kabinetit, por edhe si zëdhënës i tij. zonja Vlahutin, nuk harroi t’i bënte Ramës edhe shërbimin e fundit, duke paraqitur sukses të madh humbjen më të madhe të Ramës, atë që është moshapja e negociatave. Si Rama, ashtu edhe Vlahutin janë dështakët e mëdhenj të moshapjes së tyre. Vlahutin me raportet e saj pa kanabis e pa korrupsion nuk ia arriti ta pastrojë qeverinë Rama nga mëkatet e saj. Por si Rama, ashtu edhe Vlahutin, dëmtuan pa kushte Shqipërinë e të ardhmen europiane të saj.