Koncesionet e Edi Ramës kanë zënë vendin e parë të statistikave ballkanike, jo vetëm sa i përket numrit, por edhe shumës. Mjafton të përmendim se së fundmi, qeveria do të japë me koncesione katër rrugë, kur njëra është vetëm 20 km (Kashar-Thumanë), me një vlerë prej 1 miliardë eurosh e përkthyer ndryshe në ¼ e buxhetit të Shqipërisë. Pra, vetëm për rrugët, shuma është e tillë saqë ngulfat tërë buxhetin. Hileja e këtyre koncesioneve është se bëhen me ofrim nga privati?!-gjë që s’është parë e as dëgjuar në asnjë vend. Të lejosh një privat të vetë-ofrohet është denoncuar edhe nga FMN-ja si shkelje, e cila i ka rekomanduar qeverisë ndryshime ligjore.
Por, sa do të paguajnë shqiptarët, vetëm për 2018? Plot 70 milionë euro. Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave do të bëhen 9.4 miliardë lekë pagesa për koncesionet ose 70 milionë euro. Kjo shumë është 30% më e lartë se e vitit të kaluar, ku fatura e koncesioneve në shpenzimet buxhetore të këtij viti u përllogarit me 7.1 miliardë lekë.
Vendi më i varfër i Europës, me një popullsi rreth 2.8 milionë banorë, me 0 investitorë të huaj dhe me një borxh publik rreth 75% të GDP-së prodhon koncesione sa i gjithë ballkani bashkë.