Ish-ministri i Jashtëm, deputeti demokrat, Tritan Shehu e quan propozimin për ndryshimin e kufijve një skenar i hershëm i Beogradit dhe i disa aleatëve të saj. Shehu tha se hapja e temave për ndryshme kufijsh është një plan destabilizues.
Rrit madhësinë e shkrimit Zvogëlo madhësinë e shkrimit
Propozimet për ndryshim të kufijve ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu i konsideron ortekë të rrezikshëm për Ballkanin. Në një intervistë për Report Tv, Shehu thotë se ky ka qenë një plan i hershëm i Beogradit për ti lanë jashtë BE vendet e Ballkanit.
Unë këtë ide të shkëmbimit të territoreve i kam dëgjuar më përpara, realisht si produkt i politikave të Beogradit, për të mbajtur rajonin si një zonë të pa stabilizuar për të destabilizuar, lëshojnë të tilla ide që nuk janë vetëm të tyre, por edhe të disa aleatëve të tyre që duan ta shikojnë rajonin në trazira, rrëmujë, mungesë stabiliteti.
Tritan Shehu, deputet i PD
Ndërsa propozimin e Thaçit për bashkim me Kosovën të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, ish-ministri i Jashtëm e konsideron kështu:
Tingëllon shumë bukur, duket si një kështjellë e ndërtuar në rërë, si një megaplatformë e ndërtuar në boshllëk. Ca do shkëmbesh në lidhje me këtë gjë? Nëse dikush mendon se Serbia është kthyer në një lepurush të butë dhe është gati të japi çdo gjë, unë mendoj se gabon. Mbas Serbisë qëndrojnë të tjera fuqi, të cilat synojnë të krijojnë destabilizim në rajon.
Tritan Shehu, deputet i PD
Sulmin e Presidentit Thaçit ndaj Sali Berishës, Tritan Shehu e quan rrufe nga maja e Olimpit.
Fatkeqësisht dëgjova presidentin e Kosovës të lëshojë disa rrufe, sikur të ishte në majën e Olimpit, anatemuse mbi Berishën, vetëm sepse Berisha bëri një denoncim, dhe shfaqi mendimin e vet që është konstant në këto mendime. Deshi Thaçi me atë gjë të tregonte se ai ka një forcë mbinjerëzore, qiellore dhe lëshoi rrufetë mbi Berishën? Mendoi se në këtë mënyrë do të tregojë forcën e madhe të tij për të trembur Beogradin?
Tritan Shehu, deputet i PD
E rrezikshme sipas Shehut është dhe ideja e hedhur nga ministri për Diasporën, Pandeli Majko për heqjen e kufirit Shqipëri-Kosovë, nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm.
Hedhin fishekzjarre atje, duke kaluar në një ekstrem, i cili realisht po të merrej seriozisht nga të huajt, do të konsiderohej si një deklaratë e rrezikshme.
Tritan Shehu, deputet i PD
Për aksionin opozitar në vjeshtë, Shehu tha se fokusi do të jetë rrëzimi i qeverisë “Rama”.