Vettingu në politikë edhe pse ka gjetur kundërshtimin e kryetarit të Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Edi Rama , kërkohet që të përdoret nga vetë socialistët si një mjet për të eliminuar kundërshtarët në radhët e kësaj partie. Ndërsa ishin mbledhur për të diskutuar mbi dekretin e Presidentit Ilir Meta për ligjin e teatrit, deputeti socialist Rakip Suli çuditi anëtarët e komisionit të Medias kur deklaroi se pozicionohet te ata deputetë që duan vettingun në politikë për të larguar të korruptuarit.
Kjo deklaratë nuk u prit mirë nga deputetë të vetë mazhorancës dhe në krah të Rakip Sulit qëndronte i ulur ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja. Beqja është ministri më i përfolur për aferat korruptive për tenderët miliona euro. Nëpërmjet kompanisë së tij me emrin “Intech+”, Beqja ka përfituar plot 28 tenderë në vlerën e 35 miliardë lekëve.
Dy vite pasi themeluesi i saj Beqja mori postin e ministrit të Shëndetësisë, kompania i ka rritur fitimin me gati 100 milionë lekë të reja.
Në 22 muaj, janë plot 28 tendera që kjo kompani ka fituar, e shumë prej tyre janë me prokurim të drejtpërdrejtë, pa zhvilluar as një proces tenderi, pa garë, por me urdhër, me porosi për kompaninë Intech+.
Kjo ishte edhe arsyeja pse Beqja nuk e priti mirë deklaratën e deputetit socialist se ishte i gatshëm që të votonte ligjin për vettingun në politikë.