Ka përfunduar ristrukturimi i degës së PD, Elbasan në të gjitha nivelet nga seksionet, grupseksionet deri tek zgjedhja e kryetarit të degës.
Sot strukturat drejtues të degës së PD, Elbasan kanë zgjedhur për ti drejtuar për 4-vjeçarin e ardhshëm z.Eugen Isaj. Në garë ishin Eugen Isaj dhe Zamir Muzhaqi. Ndërkohë është tërhequr nga kandidimi Aurel Bylykbashi. Dy kandidatët në garë, Eugen Isaj dhe Zamir Muzhaqi, janë figura me eksperiencë dhe kontribute të gjata në PD. Eugen Isaj ka mbajtur edhe pozicionin e Kryetarit të Këshillit të Qarkut. Ndërsa aktualisht është nënkryetar i PDsë. Edhe Zamir Muzhaqi është angazhuar për një periudhë të gjatë në strukturat e PDsë. I deleguar nga qendra është Edmond Spaho dhe të pranishëm janë edhe deputetët e tjerë të PDsë në Elbasan Luçiano Boçi dhe Endri Hasa.
”Krenar , i motivuar , i emocionuar qe do te drejtoj Partine Demokratike te Elbasanit për 4 vitet e ardhshme , falënderim për te gjithë demokratet për zhvillimin e një procesi model qe beri te mundur te dalim me te bashkuar se kurrë dhe te gatshëm për betejat tona politike ! Bashke për një PD sa me afër komunitetit , e hapur për këdo dhe ku te triumfoje meritokracia !”- shkruan kreu i ri i degës së PD, Elbasan pas besimit të dhënë nga strukturat drejtues të PD.
Ndërkohë i deleguari i kryetarit Lulzim Basha, z.Luçiano Boçi pas procesit të votimit shkruan: -“Mirënjohje demokratëve të Elbasanit që treguan sot solidaritet, frymë bashkimi, entuziazëm për betejat që na presin. Gara në Kuvendin e sotëm, dëshmoi një Parti Demokratike dinjitoze, në të cilën respektohet vota e lirë dhe e ndershme. Një Parti Demokratike që ka vizion e që ngjall besim, shpresë e bindje për sukses. Gara u mbyll me fitoren e kandidatit Eugen Isai përkundrejt Zamir Muxhaqit.
Të dy përfaqësues të një brezi të ri dhe premtues. Ky Kuvend u shënua si pikënisja inkurajuese e betejave tona të afërta politike. Suksese Kryetarit të ri të degës Elbasan z. Isaj! Suksese demokratëve e Partisë Demokratike!”.
Edhe deputeti i PD per Elbasanin si dhe i deleguari i PD, Endri Hasa ka uruar kreun e ri të degës ku shkruan: -“Urime më të mira z. Eugen Isaj për zgjedhjen në krye të degës së PD Elbasan. Me zgjedhjen e kryetarit në kuvendin e sotëm u përmbyll dhe procesi i zgjedhjes se ekipit të ri drejtues të degës Elbasan në të gjitha nivelet.
Ekipi i ri ka ndërthurjen më të mirë midis të rinjve më energjik të degës dhe aktivistëve me kontribute historike”.