Protesta, sot mbahet takim i partive opozitare

Hënë, 11 February 2019 08:15

Opozita po diskuton ende teknikalitetet e protestës së 16 shkurtit e paralajmëruar radikale dhe masive përpara Kryeministrisë në orën 11:00.

Burime pranë PD saktësojnë se të hënën kreu i PD, Lulzim Basha do të zhvillojë një takim në selinë blu me krerët e partive aleate, ku mësohet se do të diskutohet për masat në funksion të organizimit të protestës por po ashtu do të diskutohen dhe pikat kryesore dhe parimet për një marrëveshje me shkrim mes tyre.

Protesta e 16 shkurtit po merr çdo ditë e më shumë vëmendje. Por ka një mister rreth saj, pasi asgjë nuk ka dalë në publik se çfarë do të ndodhë, përveç asaj që Basha thekson në takimet me njerëzit këto ditë në rrethe, që nuk do të ketë fjalime. Aleatët e PD deri tani janë shprehur pro kësaj proteste, ku më të zëshmit kanë qënë LSI dhe PDIU. Një gjë është e njohur, të gjithë faktorët opozitarë bashkohen në atë që, Rama duhet të largohet dhe vendi duhet të bëhet gati për zgjedhje të reja politike, me një qeveri tranzitore.

Po nesër, në këtë takim, sipas burimeve opozitare, do të diskutohet mbi një draft për një marrëveshje me shkrim mes PD dhe aleatëve. Ende nuk dihen detaje dhe cfarë përmban dokumenti. Dhe nuk dihet se si do të afrohen aleatët në një qëndrim, kur disa prej tyre janë shprehur se kanë kundërshti në jo pak pika me PD, sic është përshembull sistemi zgjedhor. Po një pikë nevralgjike e dakordësimit me aleatët, është ajo e kandidatëve për bashkitë dhe ndarja e zonave, duke qënë se sic thonë burimet, pas protestës, PD dhe opozita mund të nisin me shpalljen e emrave./mapo

Login to post comments