Shqipëria është ajo e dy fytyrave. Në njërën anë ajo e luksit dhe harxhimit të 500 mijë eurove për një kongres partie dhe fytyra tjetër ajo e tragjedisë së dhimbshme të Meritës, nënës së tre fëmijëve që i dha sot fund jetës duke u varur me litar.
Dhimbja shtohet edhe më tej kur në media u njoftua se para se të varte veten, Merita kishte marrë në telefon policinë duke i kërkuar asaj që të kujdesej për tre fëmijët e saj.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Molisht të Beratit ku nëna është gjetur e varur në një kasolle.
Por tragjedia e kësaj nëne nuk mund të hyjë në veshët dhe sytë e luksit të shfrenuar dhe abuzimit të fondeve publike që qeveria po bën për të plotësuar tekat e saj me anti-mitingje apo festa të sajuara 500 mijë euroshe për të shpallur rikandidimin e Erjon Veliajt.
Në fjalimin e Kongresit të PS-së, as Edi Rama e as Erjon Veliaj nuk folën për varfërinë që ka kapluar vendin. Meraku i tyre nuk janë familjet e varfra që mezi mbyllin ditën, fëmijët e të cilëve flejnë edhe pa ngrënë vaktin e darkës.
Në merakun e Ramës dhe Veliajt janë shifrat e punonjësve që morën pjesë në Kongres, punonjës që në të shumtën e rasteve siç edhe u bënë publike u shantazhuan me largime nga vendi i punës nëse nuk merrnin pjesë në kongres.