Bujar Nishani, Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, ka analizuar qendrimin që ka mbajtur qeveria, pas grabitjes së përsëritur nga bandat e armatosura të parave në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit.
“Çështja themelore është sepse bandat dhe terroristët e këtij lloji siç ishte dhe ai i fundit, nuk kanë frikë nga askush”, thekson Nishani, në shënimin e tij në Fb: “Një qeverisje e ardhur nga krimi pjell vetëm krim”, përfundon ai.
Shënimi i Bujar Nishanit:
“Tentativa për t’i hedhur tym publikut me gjoja “shkëmbime zjarri” nga policia me bandën terroriste që grabiti avionin Austrian Airlines, është po aq kriminale sa grabitja e miliona parave prej bandës, që tashmë do të paguhen nga taksat e njerëzve të thjeshtë.
Nëse do të kishte patur një shkëmbim zjarri, ai do të kishte ndodhur përpara se banda të mbërrinte tek avioni.
Por në fakt ky nuk është problemi i vërtetë e më madhori. As ai i mosmarrjes së masave pas disa grabitjesh spektakolare në mes të ditës, e në mes të kryeqytetit.
Këto probleme mbeten në hije nga thelbi i revanshit të krimit dhe terrorit. Çështja themelore është sepse bandat dhe terroristët e këtij lloji siç ishte dhe ai i fundit, nuk kanë frikë nga askush.
As nga shteti, as nga ligji, as nga policia, as nga ruajtja e as nga siguria. Sepse ata askush nuk i ndjek, askush nuk i heton, askush nuk i shqetëson, askush nuk i turbullon. Një qeverisje e ardhur nga krimi pjell vetëm krim, bashkëjeton vetëm me krimin dhe prodhon veç terror."