Në intervistën e fortë të këshilltarit të Komitetit të Komisionit Amerikan të Helsinkit, Robert Hand (të dhënë dje për Zërin e Amerikës), përveç shqetësimit të madh për sjelljen dhe veprimet e papranueshme të qeverisë dhe kryeministrit me rastin e kësaj krize politike që ai e krahason me vitet 90-të në Shqipëri, ngrihet alarmi edhe për zgjedhjen e papërgjegjshme që Edi Rama ka bërë me të emëruarin në krye të ministrisë së Jashtme.
Pas pakënaqësive të shprehura nëpër korridoret diplomatike në Bruksel, Uashington dhe këtu në Tiranë, zoti Hand është zyrtari i parë i huaj që emërimin me “dhunë” të Gent Cakajt në krye të punëve të Jashtme të Shqipërisë e sheh si një hap jo vetëm prapa, por edhe si një rrezik që Shqipërisë ti hiqet kryesimi i OSBE-së, gjatë vitit tjetër.
Tashmë po zyrtarizohet dita ditës nga partnerët ndërkombëtarë të vendit tonë, se lojërat meskine brenda oborrit të pushtetit dhe atij familjarë të kryeministrit, nuk mund të jenë të pranueshme nga partnerët strategjikë sidomos në fushën e diplomacisë. Dhe duket se kjo nuk ka të bëjë edhe aq me emrin e të zëvendësuarit, Ditmir Bushatin, se sa me figurën pasardhëse të tij të cilën Rama e ka mbrojtur dhe e mbron në mënyrë sa epike aq edhe qesharake, duke mos marrë parasysh asnjë faktor të përvojës në diplomaci, por vetëm “gjenialitetin” e tij në retorikën bosh dhe librat “e pafund” që paska lexuar, edhe pse të gjithë dyshojnë për këtë, jo vetëm pse është fare i ri në moshë.
Fakti është që gjatë këtyre muajve që Gent Cakaj drejton ministrinë e Jashtme, edhe pse nuk është dekretuar nga presidenti Meta, Shqipëria po përjeton jo vetëm izolimin total të kryeministrit nga ndërkombëtarët, por edhe të ministrit të Jashtëm, gjë që të paktën në kohën e Ditmir Bushatit nuk ishte në këtë katandisje. Cakaj ende nuk ka siguruar asnjë vizitë bilaterale me ndonjë homolog të vendeve kryesore të BE-së, por ndërkohë ka pasur shumë kohë që të merret me lëvizje të personelit, targa makinave të konsujve, pasaportat diplomatike dhe ato të shërbimit. Kjo edhe pse jemi në afatet e fundit të marrjes së vendimit nga vendet anëtare të BE-së, për hapjen apo jo të negociatave në 18 Tetor të këtij viti.
Jo vetëm në arenën ndërkombëtare, por edhe këtu brenda, “gjeniu” i përzgjedhur nga Edi Rama, nuk e ka tejkaluar dot rolin e shefit të personelit në ministrinë e Jashtëm. Kurse për sa i përket performancës së tij politike dhe profesionale në publik, mund të thuhet pa frikë se është shndërruar në pak kohë në një “legjendë” të rrjetit, sa herë që flet e shkruan. Gjithashtu roli i Cakajt si një bisht përfaqësues i Ramës në planet e fshehta, Vuçiç-Soros-Thaçi, për çështjen e kufijve të Kosovës me Serbinë është një histori tjetër të cilës ende nuk i ka dalë tymi plotësisht.
Pikërisht për këto arsye dhe të tjera të cilat, ne ende nuk e dimë që ndërkombëtarët i dinë, zyrtari i lartë amerikan e thotë troç se ishte shumë zhgënjyes fakti që brenda një muaji pasi OSBE-ja u pajtua me idenë që ky institucion i rëndësishëm global do të kryesohej nga Shqipëria, në ministrinë e Jashtme shqiptare pati ndryshime radikale. Ai për herë të parë paralajmëron një turpërim të mundshëm që mund ti bëhet vendit tonë vetëm si pasojë e një kapriçoje të kryeministrit Rama, duke anuluar kryesimin e OSBE-ë nga vendi ynë. Dhe ky nuk është thjesht supozim, pasi tani sipas vetë zotit Hand ka një pikëpyetje të madhe, nëse faktorët dhe përvoja që ishte në ministrinë e Jashtme në kohën kur u mor vendimi që Shqipëria të drejtonte një institucion ndërkombëtar kaq të rëndësishëm si OSBE, ekzistojnë ende aty, pas ndërhyrjes së Ramës.
“Komisioni i Helsinkit, ku unë punoj, e ndjek nga shumë afër OSBE-në. Ne bashkëpunojmë me Departamentin e Shtetit dhe ndihmojmë për t’i dhënë formë politikës amerikane ndaj OSBE-së. Mund t'ju them se vitin e kaluar, kur dëgjuam për herë të parë që Shqipëria propozoi të kryesonte OSBE-në në vitin 2020, unë u tregova jashtëzakonisht mbështetës. Është një mundësi e mire për Shqipërinë që të mos jetë një importuese e sigurisë dhe stabilitetit nga jashtë, por të kontribuojë në fakt për sigurinë në të gjithë rajonin e OSBE-së. Dhe unë mendoj se ajo mund ta bënte këtë shumë mirë.
Ajo ka një trup diplomatik shumë profesional, ministri i Jashtëm që po e mbështeste këtë ide, ishte kompetent, ai kishte shumë vite përvojë. Por ishte shumë zhgënjyes fakti që brenda një muaji pasi OSBE-ja u pajtua me idenë, në ministrinë e jashtme pati ndryshime. Ju e dini: tani ka një pikëpyetje nëse kjo përvojë është ende aty për të arritur ta shtyjë përpara OSBE-në. Siç e përmenda më lart për shkak të agresionit rus në Ukrainë, por edhe të ndërhyrjeve diku tjetër në Evropë, situatën në Kaukaz, etj., OSBE-ja ka nevojë për udhëheqje të fortë, dhe unë vërtet shpresoj se Shqipëria do të jetë akoma në gjendje ta sigurojë atë udhëheqje, por sot jam pak më shumë i shqetësuar sesa isha vitin e kaluar kur u bë oferta e pare”, deklaroi dje për VOA Robert Hand.
Komisioni Amerikan i Helsinkit ose siç njihet ndryshe në SHBA, Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë, është një agjenci e fuqishme e cila monitoron progresin në implementimin e parashikimeve të Marrëveshjes së Helsinkit në vitin 1975 pranë Kongresin Amerikan. Sipas burimeve ky Komision po planifikon që të thërrasë së shpejti një seancë të posaçme dëgjimore për situatën në Shqipëri, me përfaqësues të lartë të Departamentit të Shtetit dhe faktorë të tjerë që merren me zhvillimet në Europën Juglindore dhe veçanërisht në Ballkan.