Ish-deputetja e LSI, Floida Kërpaçi, ka deklaruar nga kampi i LRI në Jalë se po ndërtohet një plan konkret për të ndihmuar rininë shqiptare të mos largohet jashtë vendit. Kryetarja e LRI-së, tha se deklaroi se i vetmi që duhet të largohet është kryeministri Edi Rama, që mënyrë që sipas saj, vendi të hapë një kapitull të ri. Ajo theksoi se të gjithë anëtarët e LRI do të shkojnë te çdo i ri dhe e re për t’iu dhënë atyre mundësi të mos braktisin vendit. ”Mbështetja ndaj rinisë, puna ndaj tyre, janë vlera të LSI në 15 vite. Në këtë kamp synojmë të ndërgjegjësohen të rinjtë. Të rinjtë duan të luftojnë një qeveri, që sot nuk iu ofron asgjë. Do ndërtojmë një plan konkret, që do shkojmë te çdo i ri dhe e re, për t’iu dhënë mundësi të mos largohen nga vendi. Nëse ka një njeri që duhet larguar ai është Edi Rama. Ai duhet të largohet menjëherë për të hapur një kapitull të ri. Ne të gjithë bashkë do të shkojmë te të rinjtë, sepse besojmë se bashkë me të rinjtë mund ta bëjmë Shqipërinë një vend më të mirë”.
Prononcimi i plotë
Si çdo vit LRI vazhdon traditën e kampit veror në gjirin e Jalit. E nisëm me një aksion së bashku me të rinjtë dhe të rejat duke pastruar komunitetin dhe ambientin që gjetëm në Gjirin e Jalit, duke treguar në këtë mënyrë një përgjegjësi sociale për veten, vendin dhe komunitetin tonë. Përgjegjësia sociale, mbështetja ndaj të rinjve dhe të rejave dhe politikat konkrete në shërbim të të rinjve, të familjes dhe Shqipërisë, janë vlera të LSI prej 15 vitesh dhe pikërisht në këtë kamp synojmë që të vetëdijësohen të rinjtë për rolin që kanë në Shqipëri për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë, për të pasur një mundësi më të mirë për të ndërtuar të ardhmen këtu, me punësim të mirëpaguar dhe me arsim cilësor.
Bashkë me të rinjtë dhe të rejat të cilët janë energjik, e duan Shqipërinë, duan të jetojnë këtu dhe të luftojnë një qeveri e cila sot nuk ofron asgjë tjetër veçse të largohen nga Shqipëria me politikat antirinore, antisociale dhe antikombëtare. Do të ndërtojmë një plan konkret me të cilin do të shkojmë te çdo i ri, te çdo e re, te çdo zemër shqiptari, që së bashku me ta t’i japim mundësi të rinjve, t’i japim mundësi familjeve shqiptare të jetojnë në Shqipëri. Nëse ka një njeri që duhet të largohet dhe ne e kemi bërë të qartë, rinia është mjaftueshëm e bindur për këtë gjë, ai është Edi Rama dhe duhet të largohet menjëherë për të hapur një kapitull të ri për vendin, për shoqërinë, për të ardhmen e integrimit evropian të Shqipërisë.
Besojmë që do të jetë nje frymë e jashtëzakonshme, me frymë rinore, me një bashkëpunim, me solidaritet, ku Lëvizja Rinore për Integrim si forumi rinor më i organizuar që ka punuar gjithmonë në Shqipëri në shërbim të politikave rinore, në shërbim të të rinjve dhe të reja ve. Në shërbim të çdo të riu dhe të reje, për të rikthyer shpresën për të jetuar në Shqipëri, do të vazhdojë, do mendojë dhe do të punojë.
Do të shkojë te çdo i ri dhe çdo i re, dhe ne bashkë të gjithë si ekip do të shkojmë tek të rinjtë sepse ne besojmë si Lëvizje Socialiste për Integrim se bashkë me të rinjtë dhe forcën e tyre dhe bashkë me shqiptarët, ne mund ta bëjmë Shqipërinë, një vend më të mirë, me më shumë progres, me më shumë mirëqenie, me arsim më të mirë dhe më shumë mundësia ku rinia të jetojë dhe punojë në Shqipëri. Faleminderit!