Ish-ministri i Jashtëm Tritan Shehu deklaron se zgjedhjet në Kosovë goditën fortë idenë e shkëmbimit të territoreve. Në një analizë në studion e News24, në rubrikën “Opinion”, Shehu tha se humbësit i sheh në të dyja anët e kufirit. Sipas tij, kryeministri i ri në Kosovë nuk është çështe llogarie matematikore por një problem që lidhet me imazhin dhe përcjelljen e një mesazhi sa më perëndimor.
“Ky proces zgjedhor dha dy fitues, një çift partish. Çështja dhe problemi se kush do drejtojë qeverinë është një problem më serioz më i thellë. Është një problem që lidhet me imazhin me përcjelljen e një mesazhi sa më pozitiv, sa më europianist, sa më perëndimor për Kosovën. Të një imazhi që të ketë konsensus sa më të gjerë brenda. Unë nuk mendoj se është thjesht një llogari matematike. Mendoj se politikanët kosovarë do jenë sa më serioz, sa më të thellë për të vendosur se kush do jetë km i vendit.
Duhet një zgjidhje shumë e thellë, shumë e përgjegjshme, shumë e bazuar në argumente të historisë. Mendoj se zgjedhja e kolegëve kosovarë do jetë shumë vizionare”, tha Shehu.
Sipas tij, sfidë e madhe është procesi i përshpejtimit i hyrjes në institucionet ndërkombëtare, afrimi me NATO-n, procesi i afrimit me partnerët ndërkombëtar. “Transmetimi i një mesazhi të qartë i një politike europianiste, larg nacionalizmave të gabuara, por i një politike që lidhet me të ardhmen perëndimore.
Këto zgjedhje treguan diçka, goditën rëndë një ide që do e konsideroja të papërputhshme me interesat e rajonit që është e shkëmbimit të territoreve”, deklaroi ai.
Shehu tha se dialogu me Serbinë duhet të ndërtohet mbi njohje reciproke në fund të procesit në kufijtë e vendosur tashmë. Ndërkohë ish-ministri Shehu e sheh të rrezikshme idenë e kryeministrit Edi Rama për Shengenin Ballkanik, madje sipas tij i jep rol lider në rajon Serbisë.
“Kjo qeveri e re do ndërtojë dialogun me Serbinë mbi dy elementë, atë të njohjes reciproke në fund të këtij procesi mbi kufijtë e fiksuar qartësisht. Por gjithashtu mendoj se ka ardhur momenti që të gjithë bashkë dhe Shqipëria dhe Kosova dhe vendet e rajonit të jemi realistë, se e ardhmja jonë është vetëm europiane. Për të bërë këtë, duhet të zbatojmë standardet, traditat, duhet të heqim dorë nga teori të rrezikshme, si ajo e Shengenit. Ajo teori kërkon të vendosë Serbinë në rolin lider në Ballkan dhe na largon nga BE. Një teori që lidhet me ëndrrat serbe dhe mbështetet nga fuqi lindore që duan ta mbajnë rajonin në një proces jo të stabilizuar. Bie ndesh me interesat e Shqipërisë, shqiptarëve kudo që janë dhe gjithë rajonin tonë. Gabime të rënda nga dyshja Rama-Thaçi që kanë devijuar nga këto strategji që janë kundër interesave kombëtare. Dialogu me Serbinë është i domosdoshëm. Kjo votë tregoi që i thotë jo një dialogu mbi bazën e shkëmbimit të territoreve. Njohja reciproke dhe respektimi i sovranitetit duhet të jenë dy kolonat kryesore”, deklaroi ish-ministri.
Sa i përket taksës për produktet serbe, Shehu tha se është një problem i tyre që do vendosin ata që do negociojnë me Serbinë. “Unë mendoj që me mençuri, me zgjuarsi, do dinë t’i kalojnë këto momente dhe t’u japin përgjigje këtyre pyetjeve”, tha ai.
Ndërkohë humbjen e partive të krahut të luftës në Kosovë, Shehu e interpreton si votë kundër konceptit të shkëmbimit të territoreve.
“Kjo votë ishte drejtuar në radhë të parë kundër konceptit të shkëmbimit të territoreve. Humbësit e mëdhenj mbështetën këtë ide. Humbësit janë ata në të dyja anët e kufirit që mbështetën idenë e shkëmbimit të territoreve”, tha ai.
Duke u kthyer tek vendimi për negociatat për Shqipërinë, Shehu tha se varianti gjerman, varianti më i favorshëm për ne.
“I bazuar në konditat që parlamenti gjerman vendosi me shumë qartësi.
Shikoni të gjitha pikat lidhen të gjitha me keqqeverisjen e vendit. Në gabimet e mëdha qoftë në politikën e brendshme e qoftë në atë të jashtme.
Unë dëgjova sot km në parlament, i cili kërkon ta bëjë si struci, duke ia hedhur fajin BE-së. BE qartësisht ka qenë për integrimin e Ballkanit Perëndimor, forcërisht të Shqipërisë. Kushtet tona kanë shkuar në keqësim. Në vend që nga 5 kushte të shkonim në 2 apo në asnjë kemi shkuar në më shumë kushte. Është përgjegjësia e kësaj qeverie, të paaftë, të pa interesuar. Një qeverisje që po shkatërron procesin e integrimit dhe po rrezikon fatet e mëdha të shqiptarëve.
Në materialin gjerman ishte dhe një element tjetër, ngrinte problemin e politikave tona rajonale dhe politikave të jashtme. Hera e parë që Shqipëria atakohet për politika të tilla aventureske”, deklaroi Shehu.