Studimi i fundit i Bankës Botërore për korrupsionin zbulon një mori problemesh që karakterizojnë ekonominë shqiptare. Ndërsa pak ditë më parë, BB vërejti një ngadalësim të rritjes ekonomike, ndryshe nga sa kishte premtuar dhe parashikuar qeveria në fillim të 2019-ës.
“Pas përshpejtimit në 4.1 % në 2018, rritja është ngadalësuar në vitin 2019”, thekson raporti. Banka Botërore konstaton se ngadalësimi erdhi kryesisht si pasojë e uljes së prodhimit të energjisë, e kombinuar me efektin e lartë bazë nga viti 2018, ndërsa turizmi mbeti një kontribuues i rëndësishëm, por nuk qe në gjendje të mbulonte gropat e mëdha të pagesave për koncesionet dhe mbi të gjitha shpenzimet qeveritare të luksit.
Shumë ministri vijojnë të rrëmbejnë paratë nga Buxheti i Shtetit kryesisht për shpenzime operative dhe të luksit si në rikonstruksione zyrash apo blerje automjetesh. Këtyre problemeve u shtohet edhe Borxhi Publik që është mjaft i lartë (66.9 % e GDP në qershor 2019), por edhe në këtë shifër përjashtohen detyrimet e prapambetura, çka konsiderohet borxh i fshehur.