Reagim i fortë nga Partia Demokratike pas vendimit të Gjykatës së Tiranës për çështjen e famshme ‘Babale’ që shpalli fajtorë ish-deputetin Ervin Salianji, gazetarin Jetmir Olldashi, Fredi Alizotin që thuhet se ka imituar zërin e Agron Xhafaj dhe Albert Veliun, ose ‘dëshmitarin X’.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi hodhi akuza të forta në drejtim të gjykatësit të çështjes Artan Gjermeni duke e quajtur anëtar të bandës së Lushnjës.
Sipas tij dënimet erdhën nga banda e Lushnjës.
“Një vendim i pritshëm, asnjë surprizë që gjyqtari anëtari i bandës së Lushnjës Artan Gjermeni do të merrte këtë vendim ndaj një përfaqësuesi të PD. Në momentin që zotëria do kalojë në vetting do bindeni që kjo që them është e vërtetë.
Sot ata janë dënuar nga një anëtar i bandës së Lushnjës. Prokuroria dhe Gjykata kanë marrë një vendim politik për të mbrojtur trafikantët e drogës në Vlorë dhe për t’i mbyllur gojën opozitës dhe medias. Ky vendim nuk do të na ndalë në betejën e përditshme me qeverinë që bashkëpunon me krimin e organizuar por na bën më të fortë për të vazhduar betejën jo vetëm me përfaqësues e krimit në qeveri por edhe përfaqësues të krimit në gjykatë e prokurori.
Sot Ervin Salianji është dënuar nga banda e Lushnjës pse ka akuzuar bandën e Xhafaj”, deklaroi Bardhi.