Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, betohet sot në Departamentin e Shtetit

E Enjte, 09 Janar 2020 13:39

Departamenti Amerikan i Shtetit njofton se ditën e sotme Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim do të zhvillojë ceremoninë e betimit. Ceremonia do të drejtohet nga Ndihmës Sekretari i Shtetit, Philip Reeker, sipas protokollit, në ambientet e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Pas ceremonisë në DASH, ambasadorja e re pritet të mbërrijë në Shqipëri për paraqitjen e letrave kredenciale dhe nisjen e detyrës.

Yuri Kim  u propozua për ambasadore në Shqipëri nga Presidenti i SHBA, Donald Trump. Më 19 dhjetor ajo mori miratimin nga Senati Amerikan dhe do të jetë zyrtarisht ambasadorja e re e SHBA në Shqipëri. Në nëntor ishte Komisioni i Jashtëm i Senatit i cili e aprovoi kandidaturën. Në prezantimin e saj para kongresit, diplomatja Kim theksoi se do të nxiste bashkëpunimin mes dy vendeve. Gjithashtu ajo i mbetet angazhimit për të nxitur eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri.

Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori, është gjithashtu personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë. Yuri Kim është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore. Më herët, ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake. Ajo ka qenë gjithashtu Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtëpalëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut. Zonja Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe në Ankara. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.

Login to post comments